Presidenti i Francës Emmanuel Macron përsëriti shqetësimin e tij për rrezikun e përhapjes së luftës së Ukrainës në vendet përreth, gjatë pritjes së presidentes së Moldavisë, fqinjit të Ukrainës.
“Përhapja e konfliktit në vendet fqinje nuk mund të përjashtohet”, tha Macron sot, duke iu referuar “incidenteve të fundit” në rajonin moldav të Transnistrisë, ku trupat ruse janë vendosur tashmë dhe ku ka pasur shpërthime.
“Franca mbetet veçanërisht vigjilente për situatën e sigurisë në rajon”, tha presidenti francez.
Macron u bëri thirrje liderëve evropianë që të japin një përgjigje të parë të shpejtë ndaj kërkesës së Moldavisë për anëtarësim në BE.
Ndërsa, presidentja e Moldavisë Maya Sandu përshëndeti “iniciativën” e Macron për të formuar një komunitet politik evropian, i cili, sipas saj, do t’i lejonte Moldavisë të “përshpejtojë” anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
“Unë mirëpres iniciativën e presidentit Macron për të formuar një komunitet politik evropian që do të mbështesë dhe përshpejtojë procesin tonë të pranimit në BE”, tha ajo në një deklaratë me homologun e saj francez përpara Pallatit Elysee.
Ajo tha se Moldavia është një vend me histori evropiane dhe që padyshim do të ketë një të ardhme evropiane, duke shprehur “vendosmërinë” e Kishinjevit për t’u bërë anëtare e BE-së.
Ajo tha se e kupton që është një proces i gjatë dhe kompleks, që kërkon shumë mund dhe punë, që Moldavia nuk kërkon ta shkurtojë atë rrugë, se është e gatshme të bëjë përpjekje.
Moldavia aplikoi për anëtarësim në BE më 3 mars, ashtu si Gjeorgjia në të njëjtën ditë, ndërsa Ukraina aplikoi më 28 shkurt.