Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka konfirmuar një kërkesë të bërë nga Shqipëria pranë kompanisë amerikane “Lockheed Martin” në lidhje me një porosi për raketa moderne antitank “Javelin”.
“Është në kuadrin e modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjes se kapaciteteve tona që Shqipëria ka ne raport me NATO-n. Është e vërtetë që ne kemi porosinë tonë aty si pjesë e rrugëtimit tonë të rritjes së kapaciteteve të FA-së, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së integritetit territorial të vendit tonë. Nuk është se ka lidhje me ndonjë kërcënim që të mos krijojmë panik, ne jemi një vend në NATO e kemi zgjidhur çështjen e sigurisë kombëtare, jemi një vend i mbrojtur. Ne do të vazhdojmë të ndjekim ritmin e NATO-s për t’u forcuar si pjesë e një aleance mbrojtëse. Theksoj se NATO nuk është kërcënim për botën, as për Rusinë e as për Rajonin sepse nuk ka për qellim të sulmojë, por ka për qëllim të garantojë mbrojtjen e vet”, tha Peleshi.
Këto armë janë bërë pjesë vendimtare e luftës në Ukrainë, të përdorura gjerësisht nga trupat vendase për të zmbrapsur sulmin e ushtrisë ruse në disa rajone, duke shkatërruar tanket e forcave armike.
Deri tani, Ukraina është pajisur me 5500 raketahedhës të tillë dhe vendet aleate janë zotuar të dërgojnë edhe më shumë.
/TV Malisheva