Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, ka thënë të shtunën se autoritetet shqiptare kanë blerë raketa anti-tanke Javelin për të forcuar mbrojtjen.
Peleshi ka thënë se Shqipëria ka nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, Lockheed Martin, pa dhënë hollësi për numrin e raketave të blera, sa kanë kushtuar dhe kur do të arrijnë në Shqipëri, transmeton agjencia e lajmeve Associated Press.
Sipas tij, blerja e raketave është pjesë e procesit për modernizim të ushtrisë.
Më herët gjatë kësaj jave, Lockheed Martin ka thënë se ushtria amerikane ka nënshkruar dy kontrata për raketat Javelin dhe pajisje tjera në vlerë të 309 milionë dollarëve,
Në këto kontrata është thënë se janë përfshirë më shumë se 1,300 raketa për financim të ushtrisë ukrainase teksa lufton me Rusinë, si dhe për klientët ndërkombëtarë, përfshirë Norvegjinë, Shqipërinë, Letoninë dhe Tajlandën.
Peleshi ka thënë po ashtu se NATO-ja nuk përbën kërcënim për asnjë shtet, përfshirë Rusinë.
Tri vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, janë anëtare të NATO-s. Shqipëria i është bashkuar kësaj aleance më 2009.
Qeveria e Kosovës ka shprehur vullnet që të aplikojë për pjesëmarrje në Programin për Partneritet për Paqe dhe po ashtu ka aspirata për anëtarësim në NATO.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë. /REL