Partia Demokratike e Kosovës ka përsëritur kërkesën për zbatimin e vendimit të gjykatës për uljen e çmimit të energjisë elektrike. Anëtari i kryesisë, Blerand Stavileci tha se qeveria po rrëshqet në kriza të reja me fajin e saj për shkak të injorancës dhe arrogancës. Një gjë e tillë, sipas tij, po ndodhë edhe për shkak të mosdijes dhe pazareve nëpër ndërmarrjet publike.
Në konferencë për media, Stavileci u shpreh se ndajnë shqetësimin e përbashkët me të gjithë qytetarëve e Kosovës në lidhje me krizat e reja që po synon t’i shkaktojë pushteti aktual.
“Nga dështimi në parandalimin e futjes së vendit nëpër kriza të njëpasnjëshme kjo qeveri me vetëdije të plotë dhe në mungesë të vizionit po rrëshqet në kriza të reja me fajin e vet, për shkak të injorancës dhe arrogancës së vet, e fatkeqësisht, pandershëm, në llogari të qytetarëve të pafajshëm. Fitorja e qytetarëve të vendit tonë në realizimin e dy të drejtave elementare të tyre, atë të sigurisë së furnizimit dhe atë të përballueshmërisë së çmimeve, e cila u realizua me vendimin e gjykatave për mos shtrenjtimin e rrymës, sot po rrezikohet pikërisht nga pushteti i cili ua shtrenjtoj rrymën në mënyrë të padrejtë, të paarsyeshme dhe të kundërligjshme”, ka thënë Stavileci.
Më tej, ai ka potencuar se ka një tendencë të hapur për shpërfillje të shtetit ligjor.
“Ka një tendencë të hapur për shpërfillje të shtetit ligjor, sepse pushteti aktual është duke suspenduar sistemin ligjor të vendit me mosbindje dhe moszbatimit vendimeve të gjykatave. Është tepër shqetësuese dhe krejtësisht e papranueshme që kjo qeveri dhe ky pushtet po përpiqen t’i ikin zbatimit të plotë të vendimit të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit për pezullim të vendimit të kundërligjshëm të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e çmimit të energjisë me mbi 100 për qind për 450 mijë familje kosovare”, ka thënë Stavileci.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci theksoi se paralajmërimet për reduktime janë përpjekje e re e pushtetit për të mbuluar keqmenaxhimet.
“Përsëri, me konstruktivitetin më të lartë të mundshëm, kërkojmë që të zbatohet vendimi, që të kthehet ligjshmëria dhe të mos inskenohen situata të paqena krize duke paralajmëruar reduktime. Që nga fillimi i kësaj krize kur kemi paralajmëruar dhe rekomanduar qeverinë e deri më sot kur përsëri po e paralajmërojmë, i bëjmë thirrje që ta menaxhojë situatën, duke garantuar dy gjërat themelore për qytetarët: Sigurinë e furnizimit dhe çmimet e përballueshme, dhe assesi të mos inskenojë e prodhuar kriza të reja”, ka përfunduar ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill kishte marrë vendimin për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura. /TV Malisheva