Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) rikujton të gjithë tatimpaguesit, si personat fizikë afaristë, bizneset individuale dhe personat fizikë jo afaristë, se edhe pak ditë kanë mbetur për të deklaruar dhe paguar Tatimin në të Ardhura Personale (TAP) për vitin 2021, brenda afatit ligjor.
Afati për deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhura Personale për periudhën tatimore 2021 është deri më 31 maj 2022.
Deklarimi i Tatimit në të Ardhura Personale bëhet përmes formularit “PD-FORMULARI I DEKLARIMIT VJETOR DHE PAGESËS PËR TATIMIN NË TË ARDHURAT PERSONALE”, i cili deklarohet përmes Sistemit Elektronik EDI.
Me formularin PD, Tatimi në të Ardhura Personale kërkohet të deklarohet nga çdo individ, i cili zhvillon aktivitet ekonomik dhe ka statusin biznes individual, si dhe çdo individ, i cili realizon të ardhura për të cilat nuk i është mbajtur tatimi në burim nga paguesi i tyre.
Të ardhurat për të cilat potencialisht mund të keni detyrime tatimore, janë të ardhurat nga puna që bëni si freelancer, lëshimi i pronës me qira, nëse qiramarrësi nuk e ndal tatimin në burim, fitimet kapitale që mund të jenë si rezultat i shitjes së pronës së luajtshme ose pronës së paluajtshme apo edhe nga shitja e letrave me vlerë etj.
Këto janë vetëm disa nga rastet më të shpeshta kur personat gjenerojnë të ardhura të tatueshme dhe tatimi nuk ndalet në burim, por mund të ketë edhe raste siç janë fitimet nga interesi në huadhënie apo edhe fitimet në lojëra të fatit, për të cilat gjithashtu duhet të plotësohet deklarata.
Për t’u informuar më hollësisht rreth të ardhurave tjera të tatueshme, mund t’i referoheni Ligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale apo personelit tonë në njërën nga zyrat rajonale.
Për t’u deklaruar Tatimi në të Ardhura Personale, përveç biznesit individual, i cili deklaron me Numrin Unik Identifikues, individi (personi fizik jo afarist) deklaron përmes numrit fiskal.
Individët të cilët nuk kanë numër fiskal, me këtë numër pajisen në mënyrë elektronike gjatë regjistrimit në Sistemin Elektronik EDI.
Për plotësimin e saktë të Formularit të deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhurat Personale – PD, ATK rekomandon tatimpaguesit që të shfrytëzojnë materialet informuese të publikuara në ueb-faqe të ATK.
Klikoni këtu dhe lidhuni direkt me pyetje/përgjigjet:
https://www.atk-ks.org/pyetje-dhe-pergjigje-per-deklarimin-nga-individet-permes-formularit-pd/
/TV Malisheva