Si pasojë e incidenteve të mbrëmshme të cilat lanë të lënduar edhe policë shqiptar, në orët e para të mëngjesit të sotëm janë kthyer mbrapsht në Itali 80 tifozë huliganë.

Identifikimi i tifozëve në fjalë është bërë në bashkëpunim me Interforcën dhe ambasadën italiane.

Të shoqëruar nga policia ata kanë mbërritur në port pas orës 2:00 të mëngjesit të sotëm, ku në pritje të tyre, trageti i linjës Durrës-Bari është nisur me afro gjashtë orë vonesë, rreth orës 05:00 të së mërkurës.

Po ashtu, siç raportohet nga “TopChannel” futja e tifozëve në traget nuk ka kaluar pa probleme, por këtë herë ka pasur lidhje me sistemin dhe një pjesë e italianëve janë regjistruar manualisht për t’u hedhur më pas në sistem.

Vendimi për largimin nga vendi të tifozëve problematikë erdhi pas akteve të dhunshme të tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit, si një reagim i shpejtë për të siguruar një ndeshje sportive larg akteve të dhunës dhe tensionit që po karakterizon këtë ndeshje të madhe evropiane.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm pritet të mbërrijnë në Durrës të tjerë tifozë me tragetet e Barit dhe Ankonës, ndërsa në port ka prani të shtuar të forcave policore./TV Malisheva

Share.