Kosova në 24 orët e fundit nuk ka shënuar asnjë rast të ri me koronavirus dhe kjo duket se e ka gëzuar kryeministrin Albin Kurti.

Në një postim në Facebook, i pari i Qeverisë ka thënë se rezultatet në luftimin e pandemisë janë të dukshme, por e tëra nuk mbaron me kaq, pasi vaksinimi mbetet zgjidhja e vetme për ruajtjen e kësaj situate.

Postimi i plotë:

Tash e disa ditë kemi regjistruar numra një-shifror të të infektuarve me COVID-19. Sot nuk e patëm asnjë rast.

Si sot para një viti Qeveria e nënshkroi kontratën për sigurimin e vaksinave. Për vetëm dy muaj, negociuam dhe lidhëm kontratë drejtpërsëdrejti me prodhuesin Pfizer, kontraktuam vaksina të miratuara edhe nga rregullatori evropian, edhe ai amerikan. Ky furnizim dhe donacionet nga shtetet mike, ndërtuan bazën për një proces shembullor të vaksinimit.

Rezultatet janë të dukshme. Sipas statistikave, kemi shkallën më të lartë të të vaksinuarve dhe shkallën më të ulët të humbjeve të jetës në gjithë rajonin. Edhe numri i rasteve aktive ka rënë në dyshifror.

Për të vazhduar mbajtjen e kësaj situate duhet të vazhdojmë të vaksinohemi, edhe me dy dozat e para, edhe me dozën përforcuese tre muaj më vonë. Vaksinimi sa më i gjerë, mbetet arma jonë më e fortë për të mbrojtur vetveten dhe njëri-tjetrin../TV Malisheva

Share.