Emisari i BE’së për Ballkanin që është edhe lehtësues për bisedimet Kosovë -Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak, në një konferencë për media para Samitit për Demokraci në Evropën Juglindore (SEE DEM), që po mbahet në Mal të Zi, deklaroi se lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka dhe solli pasoja me të cilat duhet të përballen të gjithë.
“Rajoni nuk është i vetëm. BE-ja është me ju dhe ju ndihmon për të kapërcyer pasojat e luftës, qoftë në lidhje me ekonominë apo ndikimin social. Ne kemi një plan se si të ndihmojmë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Lajçak.
Ai tha se lufta në Ukrainë, edhe pse tragjike, e ka rikthyer procesin e zgjerimit në agjendën politike.
“Zgjerimi bazohet në vlera të përbashkëta dhe është e rëndësishme që vendet e rajonit të demonstrojnë këto vlera të përbashkëta. Rajoni nuk mund të presë, kjo është e qartë për ne”, tha Lajçak
E vetmja përgjigje, shtoi ai, është përshpejtimi i procesit të integrimit.
I pyetur për të komentuar nismën e Ballkanit të Hapur, ai tha se BE-ja mbështet çdo iniciativë që është gjithëpërfshirëse dhe e bazuar në normat dhe vlerat evropiane.
“Procesi i formimit të një tregu të përbashkët rajonal duhet të përshpejtohet. Sigurisht që ne duam që edhe iniciativat ekzistuese të funksionojnë”, tha Lajçak.
/TV Malisheva