Shtabi komunal për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK) në territorin e Komunës së Malishevës, i cili drejtohet nga drejtori i shëndetësisë, Hajdin Berisha, sot ka mbajtur një takim pune, ku është shqyrtuar situata endemike me EHKK. Bazuar në të dhënat zyrtare, deri më tani nuk është shënuar asnjë rast me EHKK.
Në këtë takim u bë e ditur se në QKMF në Malishevë, është rritur niveli i gatishmërisë dhe janë ndërmarrë të gjitha masat për trajtimin e rasteve të thumbimit nga rriqrat, të cilët edhe janë bartës të virusit të EHKK.
Në këtë takim të shtabit komunal, u paraqit edhe shqetësimi i përbashkët i problemit të dezinsektimit të zonave endemike, procedurë e cila është filluar nga ana e Komunës së Malishevës, mirëpo lënda ka mbetur e pa trajtuar nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit në nivel qendrorë dhe si pasojë, deri më tani është pamundësuar dezinsektimi i zonave endemike.
Po ashtu problem tjetër është edhe mos realizimi i masës së repelimit të kafshëve, si njëra nga masat më efektive në luftimin dhe parandalimin e EHKK, e cila do të duhej të realizohej nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.
Shtabi Komunal për luftimin dhe parandalimin e EHKK, ka kërkuar nga ana e nivelit qendrorë, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, si drejtuese e Këshillit Ndërministror, pastaj nga Ministria e Bujqësisë dhe AUV, që urgjentisht të zbatojnë strategjinë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK dhe të bëjnë dezinsektimin e zonave endemike dhe repelimin e kafshëve./TV Malisheva