Sonte është hapja solemne e kongresit të tretë të mjekësisë “Pandemia Covid-19, sfidat dhe përvojat”, ndërsa nesër dhe pasnesër fillojnë punimet e kongresit, në të cilin janë regjistruar 2 400 mjekë.
Salih Ahmeti, kryetar i Këshillit Shkencor tha se pandemia Covid-19 është në përfundim, ndërkaq ky kongres është organizuar pikërisht në kohën ideale.
Ai shtoi se shëndetësia duhet të vlerësohet jo vetëm në periudha krizash, por edhe qetësie. “Si staf shëndetësor e kemi obligim ta kryejmë punën tonë në çfarëdo kushtesh dhe rrethanash. Përkrahja morale nga qytetarët dhe shoqëria në kohën e pandemisë nuk ka munguar, mirëpo mirë kishte qenë shëndetësia jo vetëm në periudha krizash, por edhe në periudha qetësie të çmohet e vlerësohet”, shtoi ai.
Ndërkaq, Pleurat Sejdiu, kryetar i OMK-së tha se shqetësuese dhe serioze është largimi i mjekëve nga vendi.
“Në dhjetë vjetet e ardhshëm 1300 mjekë specialistë, përfshirë edhe gjeneratën time, do të dalin në pension. Në gjashtëmujorin e parë 90 mjekë të rinj e kanë lëshuar vendin. Ne shohim që deri në fund të vitit do të jenë edhe 200, për dhjetë vjet 2000 veta”, tha Sejdiu.
/TV Malisheva