Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se Bajram Begaj, kandidatura e propozuar nga PS për president të Republikës, përmbush nevojën alarmante që ka gjithë ngrehina institucionale e shtetit për një njeri normal në zyrën e kreut të shtetit dhe për një figurë me një profil sa të lartë në aspektin profesional.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për kandidaturën e kreut të ri të shtetit, Rama falënderoi fillimisht anëtarët e grupit parlamentar për kontributin e dhënë në këtë proces, që për natyrën e vetë është jo i lehtë.
“Bëhet fjalë për të identifikuar një figurë e cila do të përmbushë kërkesa shumë specifike, por në të njëjtën kohë për të garantuar edhe respektin dhe mos cenimin e të gjithë kandidatëve potencialë në një proces diskutimi që kthehet në një thashethemnajë të madhe dhe merr rrugët e pazarit mediatik”, tha Rama.
Ai tha se procesi që ne zhvilluam në grupin parlamentar na dha të drejtë në fund.
“Marrja e propozimeve nga gjithë anëtarësia e grupit me zarfet e sekretuar, që pastaj u vunë në dispozicion të kryesisë së PS-së për një diskutim konkret emër për emër dhe kategori për kategori, së bashku me pjesën tjetër të punës që u bë nga komisioni i posaçëm që ne përzgjodhëm e mandatuam për të komunikuar me palët e tjera në parlament apo për të hapur edhe një kanal komunikimi me përfaqësues të shoqërisë civile këtu në Kuvend, na mundësuan që të arrijmë në një konkluzion që besoj përmbush nevojën alarmante që ka gjithë ngrehina institucionale e shtetit për një njeri normal në zyrën e kreut të shtetit dhe për një figurë me një profil sa të lartë në aspektin profesional”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “këtu bëhet fjalë për Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së që është i paangazhuar në gjithë përplasjet apo rrugët që kryqëzohen në arenën politike, gjë që na bën të ndihemi sot të lehtësuar nga barra e përzgjedhjes si forca dominuese që ka edhe përgjegjësinë dominuese për të udhëhequr jetën e vendit”.
“Po ashtu, na bën të ndjehemi mirë me shqiptarët përtej hapësirave të kufizuara partiake, sepse kandidatura e përzgjedhur prej nesh besojmë që rezonon në të gjithë atë pjesë të popullit tonë që jeton normalisht dhe që punon normalisht dhe beson tek puna, merita, integriteti dhe respekti për njerëzit dhe tek dashuria për vendin. Këto të gjitha janë tipare që i karakterizojnë në përgjithësi figurat e përfshira në jetën aspak të lehtë të FA-së dhe patjetër që edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i cili normalisht nga sot është ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe bëhet gati të jetë Presidenti i ri i Republikës, nuk bën përjashtim”, tha Rama.
/TV Malisheva