Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka deklaruar se “Ballkani i Hapur” është i rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen në rajon.
Duke kundërshtuar ashpër samitin dyditor që nis sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Berisha tha se aleanca trilaterale mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, synon vetëm vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon dhe s’ka asgjë të mirë për shqiptarët.
Berisha: Ballkani i Hapur i rrezikshëm, synon vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon
“Sot jam këtu para jush për të denoncuar takimin e aleancës trilaterale të Ohrit, si një aleancë e rrezikshme për paqen, stabilitetin në Ballkan, si një aleancë që synon vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon, si një aleancë që i kundërvihet tërësisht procesit të integrimit evropian dhe procesit të Tregut të Përbashkët Rajonal në kuadrin e nismës së Berlinit. Pra, ky akt, ky ‘Samit i Ohrit’, është një samit që prodhon serbomadhi, rusofili dhe asgjë të mirë për shqiptarët. Përshëndes qeveritë që refuzojnë anëtarësimin në këtë klub të Beogradit”, tha ai.
Ai tha se Mali i Zi nuk është anëtarësuar në “Ballkanin e Hapur”, mirëpo për shkak të kompozimit të popullsisë atje, kryeministri Abazoviq ka shkuar vetëm për të marrë pjesë në këtë nismë rajonale.
Sipas tij, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq e kundërshton në mënyrë të prerë anëtarësimin e vendit të tij në “Ballkan të Hapur”.
Berisha: Mali i Zi nuk është anëtarësuar në “Ballkan të Hapur”
“Mali i Zi nuk është anëtarësuar, ka shkuar për të marrë pjesë sepse Mali i Zi ka një kompozim në të cilin një pjesë e popullsisë së tij është të themi serbe në fakt. Pjesa dërrmuese e popullsisë malazeze nuk është me origjinë serbe dhe në ruajte të këtyre ekuilibrave, por presidenti Gjukanoviq ka kundërshtuar në mënyrë të prerë dhe të hapur anëtarësimin e vendit të tij në nismën e ‘Ballkanit të Hapur'”, theksoi ai.
Berisha këto komente i bëri të martën në një konferencë për media në Tiranë.
/TV Malisheva