Liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Serbisë do të mblidhen sot në Ohër në kuadër të nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Derisa mbrëmë ka pasur një darkë pune mes liderëve dhe delegacioneve, sot në ora 10:00 do të bëhet hapja e samitit “Open Balkan”, ndërsa vetëm 45 minuta më vonë do të mbahet seanca e parë plenare me temë kryesore turizmin.

Në ora 11:15 do të mbahet një seancë koordinuese e liderëve me komunitetin ndërkombëtar.

Seanca e dytë plenare është planifikuar të nisë në ora 12:15 më temë kulturën.

Mesdita është e planifikuar për takime bilaterale të liderëve.

Në ora 13:30 është paraparë ceremonia e nënshkrimit të katër marrëveshjeve, atë për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Më pas, kryeministri shqiptar, Edi Rama, kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq do të mbajnë një konferencë për shtyp.

Të tre liderët më pas do të kenë një vizitë në manastirin e Shën Naumit si dhe do të ketë një eksplorim të burimeve të liqenit të Ohrit me varkë.

Pas orës 15:30 do të mbahet ceremonia e dhënia e çmimit të lidershipit rajonal për nismën e “Ballkanit të Hapur” për kryeministrin Rama, kryeministrin Kovaçevski dhe presidentin Vuçiq nga kryetari i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski, në 100-vjetorin e kësaj dhome.

Përpos tre liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina janë ende jashtë saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte refuzuar ftesën e homologut maqedonas Kovaçevski për pjesëmarrjen në takimin e Ohrit. /TV Malisheva

Share.