Norvegjia dërgoi në Ukrainë 22 obusë vetëlëvizëse të tipit M109, së bashku me pajisje, pjesë këmbimi dhe municione.
“Zhvillimi i luftës në Ukrainë tani sugjeron nevojën për të dhuruar sisteme më të rënda artilerie dhe armësh”, tha ministri norvegjez i Mbrojtjes Bjorn Arild Gram.
Norvegjia gjithashtu ka trajnuar trupat ukrainase në Gjermani për përdorimin e këtyre sistemeve, thuhet në deklaratë.
Për arsye sigurie, dorëzimi nuk ishte paralajmëruar paraprakisht, tha ministri.
Ushtria norvegjeze kohët e fundit zëvendësoi obusët M109 me artileri të re të Koresë së Jugut.
Rusia vazhdon të sulmojë Severodonetsk nga tri drejtime të ndryshme, megjithëse mbrojtja ukrainase ende arrin të ruajë pozicionet e saj, sipas analistëve të shërbimit inteligjent britanik.
“Nuk ka gjasa që asnjëra palë të ketë fituar një pozicion të rëndësishëm në 24 orët e fundit”, deklaroi Ministria britanike e Mbrojtjes në raportin e saj ditor.
Severodonetsk është një nga qytetet e fundit në rajonin e Luhansk nën kontrollin e forcave ukrainase.
/TV Malisheva