Para ndeshjes me Izraelin në Ligën e Kombeve, Kombëtarja e Shqipërisë ka mbajtur konferencën e saj të radhës, ku për mediat u paraqitën Armando Broja dhe Myrto Uzuni.
Fillimisht, ishte Broja ai i cili iu adresuar mediave, ku iu përgjigj pyetjeve në lidhje me formën e tij, raportet me trajnerin Reja në kombëtare, dhe spekulimeve për të ardhmen e tij te Chelsea.
Kur kishte përfunduar sezoni me Southamptonin, Broja kishte kontraktuar Covid-19, gjë që ia pamundësoi grumbullimin me Shqipërinë, por tani pas rikthimit në skuadër ndjehet i gatshëm për ndeshjen kundër Izraelit.
Broja: Kam pasur Covid, tash jam rikuperuar dhe jam fizikisht mirë
“Po them që po, unë fizikisht jam mirë, kam pasur Covid përpara kur mbaroi sezoni me Southamptonin, por tash jam rikuperuar dhe kam bë stërvitje personale në Angli disa ditë. Pardje erdha dhe kam bërë stërvitje me ekipin dje, edhe, po mirë jam”, tha Broja.
Më tej, bomberi shqiptar foli edhe për marrëdhëniet e tija me trajnerin e Shqipërisë, Edoardo Reja, dhe për minutazhën e tij në kombëtare.
Broja: Trajneri vendos, nëse më fut do të luaj maksimumin
“Kemi folur bashkë kur erdha këtu, dhe më pyeti se si jam fizikisht e kësi gjërash, dhe i thash se jam mirë. Por, në fund të fundit ai është trajneri dhe ai zgjedh ekipin 11, dhe e shof se më fut, kam me lujt maksimumin”, tha Broja.
Ndërkaq, i pyetur rreth së ardhmes së tij me Chelsean, Broja refuzoi të përhap ndonjë spekulim, ku tregoi se momentalisht është lojtar i Chelseat.
Broja: Jam i kontraktuar me Chelsean, jam duke biseduar me familje dhe agjent për çdo gjë
“Se di, po shofim, jam i kontraktuar me Chelsean, luaj prap me Chelsean, edhe po shofim, se di, po flas edhe me familjen dhe me agjentin tim, edhe po shofim se çfarë do të ndodh, për tash jam me Chelsean, po shofim”, tha Broja.
Për fund, Broja kishte edhe një mesazh për tifozët “kuqezinj”, të cilët i falënderoi shumë për përkrahjen e tyre, dhe dëshiron që t’i shoh të gjithë në stadium për ndeshjen kundër Izraelit.
/TV Malisheva