Seanca plenare e 9 qershorit në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me debate dhe përplasje mes kryetarit të sapozgjedhur të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryeministrit Edi Rama.
E gjitha nisi, pasi Berisha i kërkoi fjalën kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikollës, fill pasi kryeministri la foltoren.
Nikolla iu përgjigj negativisht kërkesës së Berishës dhe ky i fundit u dëgjua të thoshte nga vendi i tij se, “nuk i hiqet parlamentit fjala”.
Pikërisht kjo solli debat, pasi Berisha e cilësoi këtë si një “akt të turpshëm”, ndërsa Rama iu kundërpërgjigj, duke i përmendur faktin se është non-grata.
“Jo parlamentit, por ty se je non grata. Koha e ‘non grata-ve’ ka përfunduar, je i padëshiruar, ulu”, tha Rama nga vendi i tij.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Flamur Noka nuk ngurroi të fliste dhe iu drejtua Ramës se, “nuk është parlamenti yt ky. Kush je ti moj zonjë (drejtuar Nikollës)?”
Më pas, kryetarja e Kuvendit ia dha fjalën deputetes Jorida Tabaku.
/TV Malisheva