Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 10 qershor se marrëveshja për energjinë me Kosovën është drejt përfundimit.
Ai tha se për këtë çështje ka pasur negociata me Kompaninë e Kosovës për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
“Sot kemi pasur negociata me palën turke, me KEDS-in, për prezencën në veri të Kosovës. Për këtë jemi dakorduar. Shpresojmë se ka mbetur vetëm ana teknike [që të rregullohet] dhe do të kemi rezultate të mira në ditët në vijim”, tha Vuçiq.
Nga Kompania e Kosovës për Distribuim të Energjisë Elektrike nuk mohuan e as pohuan nëse kanë zhvilluar biseda me Serbinë për këtë çështje, por thanë se çdo marrëveshje e arritur do ta përmirësonte situatën në veri të Kosovës.
Çështja e energjisë elektrike në veri të vendit ka qenë subjekt i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga fillimi i dialogut.
“Çdo marrëveshje e arritur do ta ndryshonte situatën për mirë”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të dyja palët kishin arritur më 2013 një marrëveshje për energjetikën. Por, ajo nuk është zbatuar deri më tani.
Aktualisht, qytetarët serbë që jetojnë në veri të Kosovës nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar. Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) humbjet nga faturat e energjisë në veri vetëm për vitin 2021 kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh.
Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e kosovës nga komunat në jug të Ibrit. Por, më 2017, një praktikë të tillë e pezulloi Gjykata e Apelit, pasi u vlerësua se një gjë e tillë ishte e paligjshme. Më vonë, ky vendim u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.