Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës më 11 qershor në Shkup ka theksuar se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe se ai është i përkushtuar për anëtarësimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Pas takimit me kryeministrin maqedonase, Dimitar Kovaçevski, kancelari Scholz tha se Gjermania është seriozisht e përkushtuar për integrimin evropian të vendeve të rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, e cila, sipas tij i ka përmbushur të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se procesi i integrimit apo hapja e bisedimeve të anëtarësimit nuk varet nga Shkupi, por nga një vend anëtar i BE-së, Bullgaria, e cila siç tha ai po mban “peng” dy shtete kandidate për anëtarësim, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat, sipas Kovaçevskit, “meritojnë fillimin e bisedimeve të anëtarësimit”.
Kryeministri tha gjithashtu se në Bullgari kontesti me Maqedoninë e Veriut dhe negociatat po përdoren për pikë politike.
“Asnjëherë nuk e kemi shfrytëzuar këtë çështje për pikë të brendshme politike dhe në Bullgari është ngritur në nivelin e politikës së brendshme dhe shpeshherë është instrumentalizuar, gjë që nuk është mirë. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe nisja e bisedimeve aktualisht varet nga vetëm një shtet anëtar i BE-së që mban peng dy shtete kandidate për anëtarësim – Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Kovaçevski.
“Dua rigjallërimin e Procesit të Berlinit si shumë i rëndësishëm për vazhdimin e planit aksional për treg të përbashkët rajonal, që ishte vendosur para dy viteve në Sofje, e që ka të bëjë me garantimin e katër lirive: lirinë e lëvizjes se mallrave, të njerëzve, kapitalit dhe bashkëpunimit rajonal. Integrimi ekonomik ka rëndësi shumë të madhe për njerëzit e Ballkanit Perëndimor, pasi kjo forcon ekonominë dhe përmirëson raportet e fqinjësisë së mirë”, ka deklaruar kancelari gjerman, Olaf Scholz.
/TV Malisheva