Presidenti amerikan Joe Biden gjatë një mbledhjeje fondesh, vuri në dukje se si Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe shumë të tjerë nuk i kanë vënë veshin paralajmërimeve të lëshuara nga Shtetet e Bashkuara për një pushtim të mundshëm nga Rusia, sipas BBC.

“Zelensky nuk donte të dëgjonte, shumë nuk donin të dëgjonin”, theksoi presidenti amerikan.

Ndërkohë pas deklaratës së Biden ka reaguar zëdhënësi i Zelensky, i cili tha se ky i fundit kishte kërkuar vendosjen e sanksioneve parandaluese kundër Rusisë përpara pushtimit në shkallë të gjerë, por partnerët e Ukrainës “nuk donin të dëgjonin”.

Zëdhënësi Sergei Nikiforov tha se në atë kohë Zelensky zhvilloi 3 ose 4 biseda telefonike me Joe Biden dhe liderët shkëmbyen mendime dhe vlerësime të situatës në detaje.

“Prandaj, fraza ‘nuk doja të dëgjoja’ ndoshta ka nevojë për sqarim,” tha ai për gazetën ukrainase LIGA.net.

Një këshilltar tjetër, Mykhailo Podolia, tha se Ukraina e kuptonte se Rusia po planifikonte një pushtim dhe po përgatitej për të. Ai tha se Zelensky ishte i vëmendshëm ndaj paralajmërimeve, por shkalla e pushtimit të Rusisë “tronditi shumë vende, përfshirë partnerët tanë”.

/TV Malisheva

Share.