Forcat ukrainase dhe ato ruse janë duke luftuar ashpër për të fituar kontrollin e Severodonjeckut, qytet në lindje të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se mbrojtësit e këtij shteti janë duke luftuar për “secilin metër” të qytetit, ndonëse rusët kanë shkatërruar një urë kyçe, duke pamundësuar ikjen potenciale të civilëve nga zonat e luftës.
“Qëllimi kyç i pushtuesve nuk ka ndryshuar. Ata janë duke rritur presionin në Severodonjeck, atje ka luftime të ashpra – për secilin metër”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij të dielën vonë, duke shtuar se ushtria ruse është duke shtuar rezervat në Donbas.
Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Hayday, ka thënë më 12 qershor se forcat ruse kanë shkatërruar urën e dytë që lidh Severodonjeckun me qytetin Lisiçansk.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 13 qershor se operacionet e kalimit të lumit “ka mundësi të jenë në mesin e faktorëve vendimtarë për luftën”.
Inteligjenca britanike ka thënë se Rusia është duke u përballur me vështirësi që të demonstrojë “koordinim kompleks, i cili është i nevojshëm për të kryer kalime të suksesshme rreth lumit, teksa vazhdojnë luftimet”.
Pavarësisht rritjes së presionit, Zelensky ka thënë se forcat ukrainase jane duke penguar trupat ushtarake ruse nga marrja e Donbasit.
“Ju kujtohet sesi në Rusi, në fillim të muajit maj ata shpresonin të merrnin kontrollin e rajonit lindor të Donbasit?” ka pyetur Zelensky.
“Është dita e 108-të e luftës, jemi në qershor. Donbasi ende po mbahet”.
Severodonjecku ka mbetur pikë kritike e luftimeve, të cilat sipas Kievit do të përcaktojnë rezultatin e luftës së paprovokuar që ka nisur Rusia në Ukrainë më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin e konsideron luftën “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Kievi dhe Perëndimi e konsiderojnë këtë arsyetim si të rremë për nisje të luftës.
/TV Malisheva