Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka përfunduar auditimin e pasqyrave financiare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021, në përputhje me Ligjin për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA).

ZKA ka audituar nëse proceset dhe transaksionet përcjellëse janë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm për subjektin e audituar në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare.

Sipas konkluzionit të ZKA, transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit të AKP kanë qenë, në të gjitha aspektet materiale, në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm për subjektin e audituar në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare.

ZKA në raport ka dhënë tri rekomandime për adresim, dy të reja e një e vjetër, ndërsa për vitin 2020 nga pesë rekomandime të dhëna nga ZKA, katër janë zbatuar në tërësi nga AKP, një nuk është zbatuar (e-pasuria), por që nuk është në kompetencën e AKP-së.

Sipas opinionit nga ZKA, Pasqyrat Financiare Vjetore të AKP-së prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2021.

Ndaj, marrë parasysh konkluzionet dhe proces nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore të AKP-së për vitin fiskal 2021, thuhet në komunikatë./TV Malisheva

Share.