Pas një dështimi fatal të Ushtrisë së Federatës së Rusisë në Ukrainë, propaganda e Kremlinit po bën të pamundurën që të lëshojë gënjeshtrën e radhës për numrin e mercenarëve të angazhuar nga gjithë bota.
Këtë dezinformatë po e ndihmojnë edhe qarqet serbe dhe malazeze që kanë lidhje me strukturat pro-ruse.
Milan Knezheviq nga Fronti Demokratik malazez në një shkrim në Twitter thotë se, nga tërë bota në Ukrainë janë angazhuar rreth 7 mijë mercenarë.
I njohur për bindjet e tij djathtiste dhe lidhjet me eksponentë ekstremistë nga Moska, Knezheviq në listën e publikuar thekson se nga Kosova janë angazhuar 156 ushtarë, por që deri më tani janë vrarë 60 prej tyre.
https://twitter.com/MilanKnezevic80/status/1537786…
Përveç Kosovës, aty thuhet se janë vrarë edhe 40 ushtarë nga Shqipëria, 19 nga Maqedonia e Veriut dhe 51 nga Kroacia.
Se çmenduria e propagandës ruse nuk ka të ndalur, tregon fakti që qysh në fillimet e agresionit ushtarak në Ukrainë, i pari i diplomacisë së Moskës, Sergei Lavrov pati deklaruar se nga mercenarë nga Kosova dhe rajoni po angazhohen në frontet e luftës.
Mirëpo, një gjë e tillë ishte mohuar kategorikisht nga të gjitha institucionet e rajonit, e veçanërisht të Kosovës.
Knezheviq është njëri nga pjesëmarrësit në grusht-shtetin e ndihmuar nga dy agjentë të GRU-së ruse – Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov (Moiseev) – për ta rrëzuar qeverinë demokratike të Milo Gjukanoviqit në tetor të 2016-së.
Prokurorët malazezë kishin gjetur se komplotistët kanë pasur mbështetjen e Kremlinit për të vrarë kryeministrin e atëhershëm dhe për të bllokuar anëtarësimin e vendit në NATO.