Është rritur edhe më tej trendi i importit të mallrave dhe produkteve prej Serbisë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Vetëm në 5 mujorin e parë të këtij viti, Kosova ka importuar mallra nga ky shtet fqinjë në vlerë mbi 130 milionë euro, ose rreth 25 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Nga komuniteti i biznesit dhe ekspert të ekonomisë, thonë se ky trend i rritjes së importit të mallrave nga Serbia po ndodhë për disa arsye, një ndër to për shkak se Qeveria e Kosovës nuk po i mbështet prodhuesit vendor sikur Serbia kompanitë e saj.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi ka thënë, se mungon vullneti i Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e prodhuesve vendor, e cila do të ndikonte në uljen e importit nga shteti serb.

Krasniqi: Rritja e importit si rezultat i përkrahjes që shteti serb i bën bizneseve atje

“Ky është si rezultat edhe i përkrahjes që shteti serb i bën bizneseve atje, dhe se çmimet e tyre janë konkurruese në krahasim me çmime të tjera. Ndërsa, që shteti ynë nuk është duke i mbështetur mjaftueshëm bizneset tona në produktet e caktuara që importohen atje, në mënyrë që të bëhet një konkurrencë shumë më e fuqishme dhe të kemi rritje të prodhimit tonë vendor. Pra, edhe për këtë mungon vullneti i Qeverisë së Kosovës për politika më të mirë, më përkrahëse, më subvencionuese për prodhuesit, për bizneset tona. Po ashtu, për rritjen e punësimit dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, theksoi Krasniqi.

Eksperti i ekonomisë Muhamet Spahiu thotë se vetëm në pesë mujorin e parë të këtij viti, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 132 milionë euro.

Ky import në këtë pesë mujor, sipas Spahiut, është më i larti në katër vitet e fundit.

Spahiu: Ky pesë mujor do të jetë më i lartë së paku në këto katër vjet të fundit

“Mendoj se ky pesë mujor do të jetë më i lartë së paku në këto katër vjet të fundit, ndoshta do të jetë më i lartë se 2018-ta kur ka qenë kulmi, para aplikimit të masës 100 përqind të taksës ndaj Serbisë”, thekson Spahiu.

Spahiu thotë se rritja e importit nga Serbia ka qenë e pritshme për shkak të heqjes së barrierave dhe taksave nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe.

Spahiu: Ka qenë e pritshme për shkak të heqjes së barrierave

“Ka qenë e pritshme, jo e pritshme në aspektin negativ, për shkak se janë hequr shumë barriera të cilat kanë qenë të krijuara prej qeverive të kaluara, përderisa në këtë mandat është parë të ketë një tendencë të largimit të të gjitha barrierave të mundshme, sikur të disa prej produkteve të veçanta, gjithashtu edhe për të gjithë tregtinë prej Serbisë. Edhe normalisht që është pritur që kanë me u rritë dhe kanë me ndodhur trendët edhe më të larta se që ka ekzistuar tregtia me Serbinë”, thotë ai.

Spahiu ka shtuar se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka shkelur parimet dhe premtimet sa i përket mallrave dhe produkteve serbe.

Spahiu: Premtimet “Reciprociteti, ndalimi i importit të mallrave nga Serbia mbeten paradoks

“Ky lloj marketingu politikë që në Kosovë është bërë praktikë dhe që s’ka asnjë kriter, nuk ka aspak moral, mendoj që e ka mbërri kulmin, madje në aspektin e këtyre premtimeve që i kemi pasur “Reciprociteti, ndalimi i importit të mallrave nga Serbia, bisedimet”, që normalisht disa edhe atëherë kanë qenë paradokse, tash janë bërë paradoks shumë të veçantë, që ndoshta vetëm një herë munden me ndodhur kur ka qenë shumë ekstrem kundërshtimi para se me marrë Vetëvendosje pushtetin, kurse është komplet në ekstrem sjellja ndaj këtyre premtimeve që i ka premtuar kjo qeveri”, thotë ai.

Në anën tjetër nga Dogana e Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e KosovaPress-it, lidhur me të dhënat për importin nga Serbia.

Ndërkaq, importi produkteve nga Serbia ndër vite vijon kështu: Në vitin 2021 vlera e mallrave të importuara nga ky shtet ishte 305 milionë euro, më 2020 ishte 173.4 milionë euro dhe më 2019 ka qenë 4.4 milionë euro (taksa 100%)./TV Malisheva

Share.