Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, me shtatë vota pro dhe një abstenim, miratoi në mbledhjen e së martës raportin me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Me këtë rishikim, buxhetit prej 2.7 miliardë euro i shtohen edhe mbi 150 milionë të tjera. Në këtë rast, rishikimi i buxhetit nga qeveria është bërë vetëm për Ministri të Financave, dhe nuk prek ndonjë organizatë tjetër buxhetore.

Ani se votoi pro këtij rishikimi, deputeti nga AAK, Pal Lekaj kërkoi që urgjent të bëhet rishikimi i plotë i buxhetit 2022, i cili ngriti edhe çështjen e ngecjes së shumë projekteve kapitale në vend.

Lekaj theksoi se Kosova është para kolapsit për realizimin e investimeve kapitale.

Lekaj: Duhet sa më parë të bëhet rishikimi i tërësishëm buxhetor, kanë ngecur investimet kapitale

“Këtë Projektligj, ne si grup parlamentar do ta votojmë, por kam disa sugjerime që sa më parë të bëhet rishikimi i tërësishëm buxhetor, sepse shumë projekte kanë ngecur dhe nuk mund të zhvillohen. Jemi para një kolapsi të investimeve kapitale dhe sa më parë që ta sjellim ligjin për rishikim buxhetor aq më mirë është. Përndryshe, ne i themi po”, theksoi Lekaj.

Ndërsa, kryetari i Komisionit, Armend Muja, theksoi se në bazë të vendimit të Kuvendit për procedura të përshpejtuara për miratimin e rishikimit të buxhetit, Komisionit sot ka afatin e fundit për procedim në kuvend.

Muja: Komisioni procedon në Kuvend për në lexim të dytë rishikimin e buxhetit

“Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere deri më datën 21 qershor, në bazë të vendimit të Kuvendit, duhet ta paraqesë raportin me rekomandime për shqyrtim në seancë plenare. Në bazë të nenit 57 të Rregullores së Kuvendit, pasi që raporti me amendamente shqyrtohet nga Komisionet e përhershme, konsiderohet se Komisioni ka përfunduar shqyrtimin e projektligjit dhe procedon për lexim të dytë”, theksoi ai.

Për këtë projektligj, ka abstenuar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Ndërkaq, në seancën e së enjtes në Kuvend, pritet të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin për vitin 2022.

Komisioni ka miratuar edhe kërkesën buxhetore të Kuvendit të Kosovës për periudhën 2023, në bazë të Qarkores së parë buxhetore të Ministrisë së Financave.

Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka prezantuar para komisionit kërkesën për kategorinë e buxhetit.

Krasniqi: Për çdo vit ka një rritje graduale të shpenzimeve

“Sipas rregullave dhe procedurave të Ligjit për menaxhimin e financave publike, ne kemi dorëzuar kategorinë e buxhetit për vitin 2023-2025 dhe sipas të cilave shpenzime janë kategoritë e parapara me ligjin, të cilat për çdo vit në një mënyrë kanë paraparë një rritje graduale, por në disa raste ka edhe zbritje. Nëse flasim për kategoritë e pagave, shuma e buxhetit është 1 milion e 45 mijë euro, për mallra dhe shërbime 120 mijë euro”, theksoi Krasniqi.

Në anën tjetër, deputeti nga VV-ja Eman Rrahmani ka kërkuar sërish përgjigje nga sekretari Krasniqi për shpenzimet rreth 1000 euro, të cilat deri tash kanë mbetur enigmë në raportin e shpenzimeve të Kuvendit, se nga cilët deputetë janë shpenzuar këtë mjete në një hotel në Brezovicë, në janar 2022.

Për këtë ka reaguar kryetari i Komisionit, Armend Muja, i cili tha se ka marrë një raport shtesë të shpenzimeve me shkrim nga sekretaria dhe do t’ia shpërndajë anëtareve të Komisionit gjatë ditës./TV Malisheva

Share.