Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar pas dakordimit të udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve energjetike për veriun sot në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në një postim në Facebook, i pari i LDK-së ka përkujtuar se Qeveria Kurti ka nënshkruar sot atë të cilën kryeministri Albin Kurti, në kohën e arritjes së marrëveshjes (2013-2015), e kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë.
“Por, kryeministri Kurti sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vetë ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar Abdixhiku.
Sipas tij, udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjeve energjetike përcakton implementimin e dy marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015 – të cilat Kosova asokohe i kishte lidhur me qëllim të ushtrimit të sovranitetit shtetar në gjithë territorin e saj.
“LDK ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë – dje dhe sot – marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj”, ka thënë Abdixhiku.
/TV Malisheva