Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë vendimin që të bojkotojë Samitin që pritet të mbahet me 23 qershor në Bruksel mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruan se vendimin e ka diskutuar me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe ka dalë në përfundimin se nuk duhet të marrë pjesë.

Sipas kryeministrit Rama, ‘rrëmbimi’ i Unionit nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për tu parë, kështu që ai nuk ka se çfarë të bëjë në Bruksel më 23 qershor.

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?”, tha Rama.

 

Rama është lideri i parë nga vendet e Ballkanit që merr përsipër të refuzojë publikisht pjesëmarrjen në Samitin në Bruksel. Pak më herët, mediat serbe shkruanin se Vuçiq do të konsultohej me Ramën e Dimitar Kovaçevskin e më pas do të merrte një vendim.

Por, deri më tani, Vuçiq e Kovaçevsky nuk kanë bërë publik asnjë vendim. Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit të Liderëve të BE-së, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor.

Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjerogjisë./TV Malisheva

Share.