Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot e ka mbajtur diskutimin e parë publik me qytetarët e Komunës së Malishevës, ku e ka prezantuar punën dhe angazhimet e tij dhe të qeverisë komunale në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, si dhe është përgjigjur apo ka dhënë sqarimet e nevojshme në pyetjet dhe interesimet e qytetarëve.
Fillimisht, Kastrati, e ka prezantuar punën dhe angazhimet në gjashtë mujorin e parë të këtij vitit, duke filluar me realizimin e projekteve, pastaj angazhimet dhe bashkëpunimet e komunës me institucione, organizata, donatorë dhe të tjera.
“Fokus i veçantë i yni ka qenë edhe mbrojtja e mjedisit dhe furnizimi me ujë për qytetarët e Komunës së Malishevës, ku jemi duke u angazhuar dhe duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë që kemi, në mënyrë që qytetarët të jenë të furnizuar me ujë për pije”, ka thënë Kastrati.
Ai, gjithashtu i ka thënë se “edhe në çështjet sociale janë angazhuar, ku krahas obligimeve ligjore, jemi munduar që të ti mbështesim të gjitha familjet në nevojë e po ashtu edhe familjet që kanë nevojë për strehim”.
Më pas, Kastrati, është përgjigjur në pyetjet dhe interesimet tjera të qytetarëve pjesëmarrës në këtë diskutim publik. Infrastruktura në përgjithësi ishte interesimi i qytetarëve, dhe për çdo pyetje, ata i kanë përgjigjet nga ana e kryetarit apo drejtorëve të drejtorive komunale.
/TV Malisheva