Pas përfundimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski janë shprehur të zhgënjyer me Bashkimin Evropian.
Në një konferencë për media, në Samitin Be-Ballkani Perëndimor, Rama ka thënë se dy vendet që janë anëtare të NATO-s po mbahen peng nga Bullgaria sa i përket integrimit në BE.
Rama: Shpreh keqardhje të thellë për Bashkimin Evropian
“Më lejoni të shpreh keqardhjen e thellë për Bashkimin Evropian, më vjen keq për ta dhe shpresoj të mund t’i ndihmojmë. U përpoqa që të them disa gjëra në takim dhe do të ndaj me ju disa prej tyre sepse nuk dua të marrë aq kohë sa u mor në takim. Charles Michel na tha se kishim 3 minuta, unë i thash mund të kishte qenë edhe 30 sekonda nëse do të kishin mbajtur fjalën, por ata nuk mbajtën fjalën, kështu që 3 minuta nuk ishin mjaftueshëm. U thash që ndjehesha mirë dhe keq të isha me ta, ndjehesh mirë sepse jemi evropian dhe duam të gjendemi në mes evropianëve, por ndihesh keq sepse ende nuk mund të jemi ne këtu si evropian por si miq në një shtëpi të ndarë”, ka thënë Rama.
Rama është pyetur edhe për Ballkanin e Hapur për të cilin tha se është mekanizmi i parë rajonal i bashkëpunimit.
Rama: Paqja përfundimtare përmes Ballkanit të Hapur
“E kemi përsëritur qindra herë (Ballkani i Hapur) është një tryezë e hapur për këtë, për gjashtë vendet, Aleksandri e quan e ‘ashtuquajtura Kosovë, unë e quaj Kosovë dhe pikë, por kjo nuk na ndalon të punojmë së bashku…Nuk duhet të jetë problemi i Qeverisë së Kosovës për të ardhur, duhet të kishte qenë problemi i presidentit të Serbisë për të pranuar, kaq. Ndjehem i privilegjuar të kem mundësinë të, punoj për venin tim përmes këtij mekanizmi dhe për të nxitur këtë bashkëpunim që do të sjell edhe paqe. Kjo paqe përfundimtare që kërkojmë do të vijë përmes Ballkanit të Hapur, nuk do të vijë përmes tensioneve apo helikopterëve që vinë vërdallë apo përmes të bërtiturave në Facebook”, tha Rama.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur edhe për Kosovën duke thënë se nuk e ka marrë liberalizimin e vizave.
Vuçiq: Prishtina nuk e mori liberalizimin e vizave
“Nëse më pyesni nëse Maqedonia e Veriut apo Shqipëria morën një datë, jo nuk e morën, nëse Prishtina mori liberalizimin e vizave, jo nuk e morën, nëse Bosnja mori statusin kandidat, jo nuk e morën. Natyrisht u kritikuam shumë nga shumë shtete anëtare për shkak të çështjes Rusi-Ukrainë dhe kaq, kaq ndodhi, po ta përkthesh në terma konkrete. Megjithatë politika nuk ka të bëjë gjithmonë me terma konkrete, në fund çdo gjë lidhet me rezultatet por para kësaj është krijimi i atmosferës ka të bëjë me të dëgjuarën e njëri-tjetrit, gjithashtu ndërtimi i besimit, nga ky këndvështrim ishte një takim i mirë, një samit i mirë”, ka thënë Vuçiq.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka thënë se propozimi francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë është i papranueshëm duke deklaruar se i ka bërë të ditur Presidencës franceze për linjat e kuqe të cilat duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese që ajo të jetë e pranueshme.
Kovaçevski: Propozimi francez është i papranueshëm
“Propozimi në formën aktuale është i papranueshëm për mua, për qytetarët, për partnerët e koalicionit, për qeverinë, për presidentin e Maqedonisë së Veriut, nëse gjatë Presidencës franceze arrihet një mirëkuptim për pozicionin tonë jemi të gatshëm që në mënyrë aktive të marrim pjesë në proces për të nisur negociatat. Dua të përfitoj nga ky rast për t’u thënë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut se ata duhet të jenë në paqe dhe ju siguroj që gjithmonë kemi vendosur interesat, dhe objektivat strategjike të shtetit përpara dhe askush nuk mund të imponojë një zgjidhje pa mirëkuptimin tonë, ne kemi bërë gjithçka, tashmë i takon lëvizja BE-së”, ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Kovaçevski ka kërkuar formulim të qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje të qartë të identitetit maqedonas.
Ai ka thënë se negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të nisin para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Preambulën e Kushtetutës.
Gjithashtu ai ka kërkuar garanci të fuqishme nga Bullgaria, edhe BE-ja, që Bullgaria nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja jashtë asaj për të cilën do të merren vesh në kornizën negociuese dhe protokollin bilateral, i cili ende nuk është dakorduar me Bullgarinë.
Ani pse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ende nuk i kanë nisur negociatat për pranim në BE. Kjo për shkak të vetos bullgare, shtet ky i cili e ka bllokuar procesin integrues për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit në mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe së kaluarës.
Më 23 qershor, krerët e shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen për të diskutuar për zgjerimin./TV Malisheva