Neriona Zekaj dhe Enes Tas rrëfyen historinë e dashurisë në një intervistë që dhanë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”. Neriona është nga Shkodra por jeton prej vitesh në Ohio, SHBA ndërsa bashkëshorti i saj turk jetonte në New York. Neriona rrëfeu se ishin njohur nga një mikeshë e përbashkët.
“Jemi njohur para tre vitesh. Kemi shoqëri të përbashkët dhe një shoqe i ka folur për mua. Shkurt, ai i hipi makinës dhe erdhi nga New York-u në Ohio. Në takimin e parë na shkoi shumë muhabeti.”, tha ajo. Ndërsa Enes, në një lidhje me Skype nga Amerika tha se mendoi se ishte shumë e sjellshme.
“Në fillim mendova se është shumë e sjellshme dhe e ëmbël. Më pëlqeu mënyra se si buzëqeshte, komunikonte me të tjerët. Mënyra se si vepronte më tërhoqi vëmendjen.“, theksoi ai. Neriona shtoi se kur ia kishte prezantuar të ëmës për herë të parë kishte menduar se ishte ndonjë aktor turk.
Megjithatë, lidhja e saj me turkun nuk ishte pritur mirë nga babai i saj pasi nuk donte një dhëndër të huaj. Pasi u martuan, Enes mori vendimin për të jetuar në vendin ku jetonte dhe partnerja e tij. “E lashë New York-un për të shkuar atje dhe ishte e nevojshme për marrëdhënien tonë.
Nëna ime u shqetësua pak se u largova. Por nuk është aq larg për hir të së vërtetës“, tha Enes, e ëma e të cilit është shqiptare ndërsa babai turk. /abcnews.al