Në një intervistë për gazetën më të madhe italiane “Corriere della sera”, kryeministri shqiptar, Edi Rama thotë se është i keqardhur për Bashkimin Evropian, por jo i zhgënjyer. Megjithatë, dje në Bruksel, Rama u përpoq të fshihte zhgënjimin dhe nervozizmin për një ngërç në procesin e anëtarësimit në BE që prek vendin e tij dhe Maqedoninë e Veriut. “Ishte një ditë e keqe për BE-në”, tha ai.

Pse një ditë e keqe?

“Sepse nuk ishte e mundur të lironim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pengje të një vendi të vetëm të BE-së, Bullgarisë, që është edhe anëtare e NATO-s, njësoj si ne. E gjithë kjo përballë 26 shteteve të tjera anëtare që duken të pafuqishme dhe me një luftë para derës”.

Pse jeni peng i Bullgarisë?

“Thjesht për çështjet e tyre të brendshme politike, asgjë më shumë”.

A prisnit një hap përpara për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?

“BE nuk i ka mbajtur premtimet. Dhe nuk e them unë, të njëjtët drejtues të komunitetit e pranojnë që ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, por pavarësisht kësaj jemi ende të vendosur”.

Keni diskutuar me presidentin francez, Macron, me atë të Këshillit Evropian, Michel dhe me presidenten e Komisionit, Von der Leyen. Çfarë i thatë njëri-tjetrit?

“Ne diskutuam se si të dilnim nga kjo situatë dhe u thashë se mbështesim idenë e një komuniteti të ri evropian”.

A duhet hequr unanimiteti nga vendimet e BE-së?

“Po, me të vërtetë që mendoj kështu, 100 për qind. Jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e ndjeshme edhe për vendet anëtare, që ka historinë dhe rëndësinë e saj. Por, ka ardhur koha për ta hequr atë”.

Keni folur për këtë me kryeministrin italian, Mario Draghi?

“Sigurisht. Diskutuam këtë situatë dhe urgjencën e gjetjes së një zgjidhjeje. Diskutuam edhe ndikimin rus në Ballkan”.

A rrezikohet Ballkani nga infiltrimi nga Rusia dhe Kina me këtë ngërç të krijuar?

“Nuk ka dyshim që rajoni përfaqëson një pikë të dobët të kontinentit për sa i përket rrezikut të depërtimit nga të tjerët. Nëse shikojmë Rusinë, është e qartë se ajo ka mënyrat dhe kanalet e veta që e bëjnë Ballkanin të pambrojtur: kjo është arsyeja pse ne dhe shtetet e tjera të zonës po punojmë për Ballkanin e Hapur që pret të anëtarësohet në BE”.

Putini do të jetë i lumtur me këtë ngërç…

“Putini mund të mos jetë në gjendje të mirë shëndetësore, por Bashkimi Evropian nuk është më mirë”.

Pra, si kujdeset BE për veten?

“Nuk mund të them asgjë për këtë: ne nuk jemi ende brenda Unionit dhe nuk na takon neve të ofrojmë trajtimin. Por, nevoja për të nisur një reformë të thellë të BE-së është shfaqur qartë mes liderëve të BE-së, diçka që ata e kanë thënë prej vitesh”.

A e mbështesni idenë e një BE-je me dy shpejtësi?

“Unë mendoj se çdo gjë e re në BE është më e mirë se kjo situatë, kjo status quo e papranueshme.”

A e lë në hije fatin tuaj hapja ndaj Ukrainës?

“Aspak. Janë dy dosje të veçanta. Ukraina meriton të jetë kandidate për anëtare e BE-së, edhe nëse statusi nuk sjell shumë më tepër, siç e dëshmon historia e Shqipërisë”.

A duan ende shqiptarët të anëtarësohen në BE?

“Nuk mund të jap përqindje, por qëndrimi i shqiptarëve ndaj Evropës nuk ka ndryshuar: duan të jenë anëtarë dhe protagonistë aktivë të BE-së”.

Kur mendoni realisht se Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian?

“Sinqerisht? E pamundur të thuhet. Të parashikosh lëvizjet e BE-së është si të parashikosh fatkeqësi të mëdha natyrore”.

 

/TV Malisheva

Share.