Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë në Samitin e shtatë vendeve më industrializuara (G7) se ai dëshiron që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundojë para se të nisë dimri.
Zelensky ka thënë se moti në atë periudhë do ta bënte më të vështirë luftën në fushëbetejë, si dhe u ka bërë thirrje liderëve të G7-ës që të bëjnë maksimumin për t’i dhënë fund luftës para fundit të vitit, ka thënë një burim për agjencinë e lajmeve AFP.
Zelensky u është drejtuar liderëve të G7-ës përmes video-linkut, të cilët janë takuar në Bavari të Gjermanisë.
Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.
Ai po ashtu u ka kërkuar liderëve që të rrisin sanksionet kundër Rusisë.
Në lindje të Ukrainës, Rusia ka fituar kontroll të plotë të Severodonjeckut dhe është duke shënjestruar Lisiçanskun.
Të dielën, Zelensky ka thënë se vonesat në dërgim të armëve janë “ftesë për Rusinë që të sulmojë sërish”.
Në adresimin e tij ditor, ai ka bërë thirrje për sisteme ajrore për mbrojtje dhe sanksione të reja ndaj Rusisë.
“Partnerët duhet të veprojnë më shpejt, nëse janë vërtet partnerë, jo vëzhgues”, ka thënë ai.
Lufta në Ukrainë është në krye të agjendës së G7-ës dhe vendet pjesëmarrëse pritet të zotohen për më shumë mbështetje ushtarake për Kievin, si dhe më shumë sanksione për Moskën.
/TV Malisheva