Ish-mbrojtësi i Chelseat, Glen Johnson, u ka kërkuar “Bluve” që të mbajnë Armando Brojën në vend që të rrezikojnë të humbasin 80 milionë funte për një zëvendësim për Romelu Lukakun.
Chelsea mori Lukakun nga Interi duke paguar 97.5 milionë funte verën e kaluar, duke shpresuar se ai do të ishte lojtari që do t’i ndihmonte ata të luftonin për titull. Megjithatë, ai shënoi vetëm tetë gola në ligë në sezonin e tij të parë në klub, dhe tashmë është rikthyer në Inter si huazim.
Johnson mendon se Chelsea do të duhet të jetë shumë më i kujdesshëm në shpenzimin e shumavë të mëdha për një sulmues pas përvojës jo të mirë me Lukakun dhe shton se ta do të bënin më mirë sikur t’i besonin sulmuesit shqiptar Armando Broja në sezonin e ri, përcjellë TV Malisheva.
“Unë mendoj se Chelsea do të hezitojë të shpenzojë shifra të mëdha parash përsëri duke marrë parasysh atë që ndodhi me nënshkrimin e Romelu Lukakut,” tha ai për “GGRecon”.
“Nëse do të ishte në dorën time, atëherë do t’i jepja Armando Brojës një shans në vend që të shpenzoja 80 milionë funte për një zëvendësim të belgut.”, shtoi ai.
Broja mbush 21 vite deri në shtator, por ai pati një sezon mbresëlënës në huazim te Southamptoni sezonin e kaluar, duke shënuar nëntë gola në të gjitha garat.
Johnson ka pranuar se sulmuesi shqiptar ka ende shumë për të bërë për të dëshmuar plotësisht veten, por ai pret që Broja të shënojë më shumë gola nëse i jepe hapësira e duhur nga trajneri Thomas Tuchel.
“Më mirë do të gaboj me një lojtar që e kam tashmë, në vend që të gaboj duke shpenzuar 80 milionë funte. Broja është teknikisht i mirë para portës. Ai shënoi disa gola fantastikë për Southamptonin, por, le ta pranojmë që Southamptoni nuk është Chelsea. Ai do të ketë më shumë mundësi për të shënuar gola te Chelsea dhe teknikisht është mjaft i mirë për të shënuar më shumë sezonin e ardhshëm”, tha në fund Johnson.