Të punësuarit në institucionet në veri të Kosovës, të cilët i marrin pagat nga buxheti i Qeverisë së Serbisë, do të mund t’i shfrytëzojnë pushimet vjetore.
Kjo është konfirmuar të martën për Radion Evropa e Lirë.
Më 1 korrik, punëtorët nga sektori i shëndetësisë dhe arsimit, të cilët punojnë në sistemin serb, dëshmuan se kishin marrë një “urdhër verbal” se për shkak të situatës politike, nuk mund t’i shfrytëzojnë pushimet deri në njoftimin e dytë.
Të gjithë bashkëbiseduesit e RSE-së këmbëngulën për anonimitetin nga frika se mos u rrezikoheshin vendet e tyre të punës.
Drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën Veriore, Zlatan Elek, më 1 dhe 4 korrik nuk ishte i qasshëm për një deklaratë lidhur me pushimet vjetore.
Mirëpo, në një bisedë telefonike të datës 5 korrik, Eleku ka konfirmuar se punëtorët e sistemit shëndetësor mund t’i shfrytëzojnë pushimet vjetore, ndërsa dëshminë e mëparshme të punonjësve se nuk munden, e ka quajtur “dezinformim”.
E gjithë situata në lidhje me ndalimin e pushimeve vjetore pasoi vendimin e 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë për zbatimin e masave reciproke sa i përket dokumenteve personale, si dhe atë për riregjistrimin e veturave me tabela të qyteteve në Kosovë të lëshuar nga autoritetet serbe në targa RKS (Republika e Kosovës).
Ato targa që përdoreshin kryesisht në veri të Kosovës, Prishtina zyrtare i konsideronte të paligjshme për vite me radhë, por i toleroi deri në vitin e kaluar.
Ndaj këtij vendimi të Kosovës ka reaguar ashpër edhe Këshilli Shtetëror i Serbisë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të lejojë persekutimin e serbëve dhe “Stuhinë”.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 3 korrik u ka bërë thirrje të gjithë pjesëtarëve të komunitetit serb që “t’i zëvendësojnë targat ilegale me targa legale RKS”.
Ai nënvizoi edhe disa lehtësi, gjatë procesit të riregjistrimit, si regjistrimi pa pagesë doganore dhe kontrolli teknik.
Kësaj i është përgjigjur drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, me mesazhin se “ky provokim dhe tentativë për konfiskimin e veturave serbe nuk do të kalojë”.
Punonjësit e institucioneve serbe, shpeshherë e kishin obligim pune të dilnin në protesta për shkak të situatës politike, apo në barrikada, madje edhe në zgjedhjet e Kosovës kur duhej të mbështesnin Listën Serbe, partinë kryesore politike serbe në Kosovë.
Lista Serbe u formua me mbështetjen e Beogradit në vitin 2013 dhe që atëherë merr pjesë në të gjitha institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, ndërsa pothuajse ka eliminuar partitë tjera opozitare.
Një numër i madh i serbëve në Kosovë janë të punësuar në institucionet serbe, gjegjësisht ekzistenca e tyre varet nga pagat që ua siguron Beogradi.
Nga buxheti i Serbisë, i vitit 2021, për Kosovën janë ndarë rreth 91.8 milionë euro dhe pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 67.7 milionë euro, shkon për Zyrën për Kosovën.
/TV Malisheva