Presidenti Stevo Pendarovski u bëri thirrje të gjithë organizatorëve të protestave që po zhvillohen këto ditë në Maqedoninë e Veriut që të marrin përgjegjësi dhe të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të protestuar me dinjitet dhe pa dhunë.

Në të njëjtën kohë, siç thuhet në njoftimin e kabinetit të tij, ai dënon ashpër mbajtjen dhe përdorimin e armëve të zjarrit nga civilë dhe qytetarë të vendit, të cilët nuk janë pjesëtarë të organeve të sigurisë.

“Përdorimi i dhunës dhe nxitja e dhunës për qëllime politike është e papranueshme. Ngjarja që ndodhi dje në Shkup nuk duhet të përsëritet sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme se qetësia dhe siguria e të gjithë qytetarëve”, thekson Pendarovski.

Policia dje, siç thotë presidenti Pendarovski, ka pasur një reagim me kohë që ka parandaluar përleshje të mëdha.

“Pres që të gjithë personat që ishin të përfshirë në incidentin e djeshëm të mbahen në paraburgim dhe të sanksionohen në afat sa më të shkurtër”, thekson Pendarovski./ALSAT

/TV Malisheva

Share.