Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia nuk do të rreshtohet me Bashkimin Evropian për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe se nuk do ta pranojë kërkesën për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë.
Kjo deklaratë e Vuçiq erdhi menjëherë pasi Parlamenti Evropian gjatë ditës së djeshme miratoi një rezolutë për Serbinë, e cila rekomandon hapjen e kapitujve të rinj të negociatave me Serbinë kur ajo të përafrojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shpreh keqardhjen që Serbia nuk është rreshtuar me sanksionet kundër Rusisë.
Rezoluta përmend për herë të parë njohjen reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, dhe u bën thirrje të dyja palëve që të arrijnë një marrëveshje për normalizim “në bazë të njohjes reciproke”.
I pyetur rreth raportimeve në Kosovë se një takim i tillë mund të zhvillohet gjatë këtij muaji, Vuçiq ka mohuar se kjo mund të ndodhë, transmeton Reporteri.net.
Ishte vetë i ngarkuari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ai që gjatë vizitës në Kosovë kishte paralajmëruar një takim të tillë të mundshëm.
Lajçak u shpreh se beson se ka një momentum të mirë për takim ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuҫiq.
Ai në vizitën e fundit qëndroi ditë në Kosovë ku takoi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të partive politike opozitare dhe vizitoi disa rajone të Kosovës.
Vizita në Kosovë e të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi u zhvillua vetëm pak ditë pasi Prishtina dhe Beogradi jetësuan një marrëveshje për energjinë për veriun e Kosovës të nënshkruar në vitin 2013. Lajçak nga Kosova paralajmëroi marrëveshje të reja Kosovë-Serbi. /TV Malisheva