Të gjithë çiftet që i kanë dhënë fund martesës me mirëkuptim mund të divorcohen te noteri në Shqipëri.
Ky diskutim ka përfshirë aktorët e drejtësisë dhe ka marrë shkas jo vetëm nga fluksi i dosjeve që presin në gjykata, por edhe nga fakti që shumë çifte paraqiten aktualisht te noterët për të firmosur aktmarrëveshje mbi ndarjen.
Noterja Elona Saliaj, e cila ka ndërmarrë një iniciativë të tillë me grupet e interesit, këmbëngul se duke shmangur gjykatën për ndarjet me konsensus, qytetarëve u sigurohet një drejtësi pa zvarritje.
Me këtë aktmarrëveshje që firmoset te noteri më pas dokumenti dorëzohet në gjykatë dhe ajo e miraton.
Në projektmarrëveshjen e noterizuar ish-partnerët detajojnë përgjegjësinë prindërore, takimet me fëmijët sipas një kalendari javor dhe vjetor, por edhe detyrime të tjera që i marrin përsipër me vullnet të lirë.
“Janë rreth 7 mijë divorce në Republikën e Shqipërisë, ku kuptohet që pjesa më e madhe e tyre është në pëlqim reciprok ose me vullnetin e plotë të të dy bashkëshortëve. Kuptohet që ka një kosto të shtuar të tyre sepse bashkëshortët nuk mund të shkojnë në të gjitha seancat e zgjidhjes së martesës dhe ata caktojnë avokat, çka do të thotë kosto. Përcaktojnë një prokurë të posaçme, bëjnë dhe projekt marrëveshje më pas presin me ditë dhe muaj që përafërsisht mund të shkojnë në tre muaj ose një vit”, thotë noterja.
Nga ky propozim përjashtohen ato çifte që ndahen me luftë dhe që kryesisht përplasen për fëmijët dhe për pasurinë. /TCH