Në kuadër të përgatitjeve për mbajtjen e festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, sot Këshilli Organizativ e ka mbajtur takimin e tyre, ku janë njoftuar për ecurinë e organizimit të deritanishëm të festivalit.
Festivali tradicional i folklorit “Oda e Llapushës”, mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe mbahet më 1 dhe 2 gusht, në kuadër të shënimit të “ditëve të mërgatës”.
Kështu ka bërë të ditur sot, drejtori i festivalit dhe njëherit drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Fitim Shala, pas takimit të Këshillit Organizativ të festivalit, i cili ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e këtij këshilli, angazhim maksimal, me qëllim që festivali të jetë i organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në festivalin tradicional të folklorit “Oda e Llapushës”, marrin pjesë ansamble, shoqëri kulturore dhe artistike, rapsod nga të gjitha trojet shqiptare dhe është prej aktiviteteve kryesore në vend, në këtë fushë të trashëgimisë kulturore.
/TV Malisheva