Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, tha se ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, “pa asnjë provë dhe asnjë përgjegjësi… po përpiqet të ndërlidhë nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojçiq me veprime ilegale”, me synimin “për të trembur pjesën tjetër të popullatës serbe” në Kosovë.
Reagimi i Listës Serbe vjen pasi Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 18 korrik, tha se Radojçiq “është në krye të strukturave kriminale, përfshirë ato të kontrabandës, të cilat e sulmojnë Policinë e Kosovës” në veri të vendit.
Pjesëtarë të policisë janë sulmuar gjatë fundjavës në veri të Kosovës – për të disatën herë këtë vit – gjatë përpjekjeve për të parandaluar një kontrabandë mallrash.
Sveçla tha se këta persona që sulmojnë zyrtarë të Policisë së Kosovës, janë të njohur për strukturat e sigurisë.
Lista Serbe tha se Sveçla po përpiqet “të përdorë akuza joserioze, të pabaza, për të justifikuar dhunën e papranueshme institucionale, shpërdorimin e pushtetit dhe shtypjen e popullit serb”, e cila “po kryhet për një periudhë të gjatë kohore nga hordhitë e veshura me uniforma, të dërguara nga Prishtina në veri të Kosovës, në luftën kundër biskotave plazma dhe coca-colës”.
Lista Serbe u bëri thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që “të marrin pozicione të qarta kundër abuzimeve të tilla të autoritetit” nga zyrtarët qeveritarë.
Millan Radojçiq është në arrati nga organet e Kosovës për rastin “Brezovica”. Ky rast ka të bëjë me lëshimin e lejeve të kundërligjshme në kompleksin turistik në Brezovicë. Radioiçiq, në këtë rast, dyshohet për “frikësim të dëshmitarëve gjatë procedurës penale”.
Radojçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, nën dyshimet se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Ndaj Radojçiqit më herët ka pasur edhe një fletarrestim, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, ai urdhërarrest është tërhequr pa shpjegim në mars të vitit 2021. (Rel)
/TV Malisheva