Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se kjo është një arritje e madhe për shqiptarët, teksa ia atribuon arritjeve të Partisë Demokratike kur ishte në pushtet, duke përmendur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë apo heqjen e vizave.
“Të dashur miq, sot në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Duke përshëndetur këtë akt dhe falënderuar me mirënjohje të thellë Bashkimin Europian për vendimin fisnik ndaj Shqipërisë, që vjen pas firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE në vitin 2006; pas pranimit nga BE-ja të kërkesës së Shqipërisë për vend anëtar në vitin 2009; pas akordimit heqjes së vizave për Shqipërinë në vitin 2010 dhe pas dhënies së statusit të vendit kandidat nga Komisioni Evropian në vitin 2012, të cilin e bllokoi Edi Rama me këshilltarët e Fierit, kjo është një arritje madhore e bazuar në arritjet e përmendura më sipër”, shkruan Berisha.
“Më këtë rast, Partia Demokratike, duke mbështetur plotësisht vendimin e Këshillit Evropian, thekson se Edi Rama, njeriu që përfaqëson sot Shqipërinë në Bruksel, me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin dhe korrupsionin, qëndrimin autokratik ndaj mediave dhe kontrollin e gjyqësorit është shkaku kryesor:
1- i refuzimit të hapjes së negociatave 5 herë në këto vite.
2- i mosplotësimit të kushteve, siç deklaron rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian dhe deklarata e sotme e përfaqësuesve të CDU-së në Bundestagun gjerman. PD thekson se sot negociatat u hapën në Bruksel pasi Edi Rama ka vendosur në Shqipëri, duke dhunuar votën e shqiptarëve, monizimin e plotë, pushtetin një partiak të njëjtë me janarin e vitit 1990. Ne këtë kontekst, PD beson se progresi i Shqipërisë në rrugën e negociatave me BE-në është mision i pamundur. Por Partia Demokratike siguron shqiptarët se, Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë do të shpëtojë shpejt vendin nga regjimi i Ramës, dhe me reforma të thella dhe të gjithanshme, rruga e integrimit të vendit në BE do të njohë normalitetin dhe shpejtësinë që meriton!”, thotë Berisha.
Pas vitesh të tëra pritje, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u ulen sot (19 korrik) në të njëjtën tryezë me vendet anëtare të BE, në Konferencën e parë ndërqeveritare, duke shënuar kështu nisjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim.
/TV Malisheva