Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se parasezoni turistik në Mal të Zi ka qenë shumë i mirë.

Ndërsa për sezonin kryesor, sipas mediave malazeze, Abazoviq ka theksuar se është “pak me vonesë” por se “edhe çmimet janë si në Côte d’Azur” – (riviera e famshme franceze), përkatësisht bregdeti mesdhetar i Francës juglindore që përfshin vendpushimet e famshme magjepsëse të plazhit si Saint-Tropez dhe Cannes, dhe Monakon.

Kryeministri Abazoviq megjithatë ka shtuar se parametrat financiarë janë të kënaqshëm.

“Parametrat janë të tillë që të hyrat totale të realizuara janë në nivel të kënaqshëm”, citohet të ketë thënë ai në seancën e qeverisë.

“Nëse dikush mendon se është e mundur të përsëritet sezoni i vitit të kaluar kur ishte një kulm i jashtëzakonshëm, sepse ishim i vetmi vend i hapur për 45 ditë, do të jetë e vështirë ta realizojmë. Duhet të përshtatemi me trendet e reja. Çmimet në bregdet janë si në Cote d’Azur, Mali i Zi nuk e ka parë kurrë këtë më parë”, ka thënë Abazoviq, përcjell Vijesti.me.

Sidoqoftë, ai ka theksuar se është i kënaqur që shumë turistë zgjedhin qetësinë, natyrën pa turma dhe udhëtimet në plazhe, vende ku ajri është i pastër dhe temperaturat nuk janë aq të larta sa buzë detit.

Dhe ai shpreson që në gjysmën e dytë të muajit të vijë një valë më e madhe turistësh.

“Duhet të dimë që çmimi i ujit në bregdet është deri në katër euro dhe para një viti e gjysmë ishte 1.5 euro, disa shtëpi të vogla në ‘Ada Bojana’ jepeshin me qira 50 euro, tani 250 euro – vetëm duhet të jemi realistë dhe të ndershëm”, ka paralajmëruar Abazoviq.

Reagimi i tij vjen edhe pasi mediat atje kanë raportuar se sezoni turistik në Budva të Malit të Zi, edhe pse jemi në kulmin e verës, ngjan sikur të ishte në parasezon.

Sipas tyre, kjo nxjerr në shesh të gjitha problemet me të cilat përballet Budva prej vitesh – “nga një strategji e keqe, praktikisht inekzistente e zhvillimit të turizmit, një koncept i paqartë nëse dëshiron të jetë një destinacion elitar apo masiv turistik, një qytet argëtimi apo një vend për pushime”.

Anëtari i Shoqatës së Hotelierëve të Budvës, hoteleri Ivan Ivanoviq kishte thënë se sezoni ishte nën të gjitha pritjet.

Për shembull, siç ka shtuar ai, numri i mysafirëve në hotele është dukshëm më i ulët se vitin e kaluar.

Ndërsa drejtoresha e Shoqatës së Ofruesve Privatë të Akomodimit në Mal të Zi, Branka Gjoganoviq (Džoganović), kishte treguar se derisa kanë hyrë në pikun e sezonit turistik, zënia e kapaciteteve private akomoduese aktualisht është rreth 30 për qind./telegrafi

“Një numër i konsiderueshëm i të ftuarve, në bazë të rezervimeve të konfirmuara, pritet deri më 20 korrik. Ata janë kryesisht mysafirë nga rajoni dhe diaspora. Gjithashtu, kemi gjithmonë një numër të caktuar të ftuarish që vijnë pa rezervim apo njoftim. Në lidhje me njoftimet që kemi pasur në periudhën përgatitore, zënia e kapaciteteve është dukshëm më e ulët, gjë që u duk tashmë në maj dhe kjo duhet të ishte një sinjal se duhej të bënim diçka. Por ne ende veprojmë spontanisht, të paorganizuar në nivel lokal dhe këtë e paguajmë çdo vit me një sezon gjithnjë e më të shkurtër. Kjo nuk vlen vetëm për Budvën, por pak a shumë për të gjitha komunat”, ka theksuar ajo.

/TV Malisheva

Share.