Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një postimi në faqen zyrtare ka njoftuar se një tjetër futbollist nga Gjermania ka pranuar t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës.
Bëhet fjalë për 18 vjeçarin, Drini Miftari, i cili është futbollist i FC Kaiserslautern, dhe luan në rolin e qendërmbrojtësit, përcjellë TV Malisheva.
Drini aktualisht aktivizohet me ekipin U19 të klubit gjerman dhe e bartë shiritin e kapitenit, derisa ardhja e tij në kampin e “Dardanëve” është bërë edhe falë angazhimit të përfaqësuesit të FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli si dhe kontributit nga Ismet Muslija, babait të futbollistit të Përfaqësueses, Florent Muslija.
Gjatë ditës së sotme, Drini ka qëndruar në ambientet e FFK-së së bashku me familjen e tij, ku edhe u pritën nga presidenti Agim Ademi.
Miftari ka thënë se pret me padurim t’i bashkohet fillimisht Përfaqësueses 19, por se synimi i tij është që së shpejti të bëhet pjesë e Përfaqësueses A.
“Jam krenar që kam zgjedhur të luaj për Kosovën dhe mezi pres ta veshë fanellën dardane. Kjo është një mundësi e mirë që t’i tregoj vlerat e mia në fanellën e vendlindjes së prindërve të mi”, ka thënë Drini Miftari.
Me potencialin që Drini Miftari e zotëron, ai vlerësohet si një lojtar kyç për mbrojtjen dardane në të ardhmen.
/TV Malisheva