Janë bërë një muaj prej fillimit të vendosjes së çmimeve tavan për derivatet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjë që sipas ekspertëve është stabilizuar çmimi por ka rënë shitja prej 25 %, si dhe janë tkurrur bizneset.

E derisa thonë se Kosova ka hyrë në krizë dhe kjo duhet të pranohet, ekspertët e sektorit të ekonomisë shtojnë se vendosja e çmimeve tavan edhe për produktet bazike, si dhe heqja e TVSh-së për këto produkte, do të ishte ndihmesë për qytetarët.

Njohësi i ekonomisë, Edison Jakurti tha se vendosja e çmimeve tavan prej derivateve ka qenë një politike e duhur dhe kjo shihet prej numrave.

Jakurti: Është një rënie prej 10 për qind për naftën dhe diku 17 për qind për benzinën

“Efekti parë është rënia e çmimeve të derivateve. Një prej funksioneve të çmimeve tavan është fillimisht ndalja e hovit të rritjes së çmimeve dhe rënia e çmimeve në rast se ka pas keqpërdorime në marzhën e fitimit… Është një rënie prej 10 për qind për naftën dhe diku 17 për qind për benzinën… Për nga funksioni i vendosjes së çmimit tavan ka ndaljen e rritjes së mëtejshme të këtyre çmimeve. Është dashur të vendoset edhe me herët çmimi tavan për produktet bazë, mirëpo edhe tash ka rëndësi. Efekti i cili do të jetë, fillimisht do të jetë ndalja e hovit të rritjes së çmimeve të këtyre produkteve, por nëse shohim në matjet që i bënë ASK-ja, janë edhe 22 produkte tjera përpos naftës dhe benzinës dhe në dhjetë nga këto 22 produkte veç kemi rënie të çmimeve…Duhet një analizë pak më e thellë për ta parë nëse ka ndikuar kosto e transportit, ose ka ndikuar rënia e kërkesës apo nëse ka ndikuar zhvillimi i marzhës së fitimit, i cili ndoshta ka qenë i padrejtë në këtë kohen fasionare që është bërë prej anës së tregtareve. Vendosja e çmimeve tavan prej derivateve ka qenë një politike e duhur dhe kjo shihet prej numrave. Hapi tjetër që është duke ndërmarrë qeveria për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë është një hap shumë i mirë dhe i drejtë”, tha ai.

Sa i përket heqjes së akcizës dhe TVSh-së, ai tha se Qeveria mundet ta shqyrtojë këtë kërkesë.

Jakurti: Qeveria mund ta shqyrtojë lirimin e TVSH-së në produktet bazike

“Nëse nuk ka një alternativë se si me u kompensu kjo te buxheti, i cili lejon Qeverisë me bë një shpërndarje, është shumë lehtë prej anës së opozitës, pra nuk është e mbështetur në asnjë analizë. Mendoj që Qeveria në fakt duhet t’i rrisë tatimet për disa aspekte të tjera, duhet ta rrisë tatimin mbi të ardhurat e korporatave, mbase duhet me pas një tatim i cili është i njëhershëm për fitimet e tepërta, gjë që po diskutohet në vendet e tjera. Natyrisht që mundet Qeveria me shqyrtu lirimin e TVSH-së të produkteve bazë, kjo kish me qenë me më rëndësi. Gjithashtu, edhe vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë, që është diçka që kam avoku prej dhjetorit të vitit kaluar”, tha ai.

Sipas tij, Banka Qendrore mund të ndikojë të rezervat minimale të bankave komerciale dhe me lëvizjen e rezervave, bankat komerciale ndikojnë në normat e interesit të cilat ndikojnë në qarkullimin e parasë, në ekonomi dhe inflacion. Ai shton se Banka Qendrore për aq sa është parë në publik, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për stabilizim të çmimeve.

Ish-kryetari Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu tha se situata ekonomike dhe sociale në Kosovë është mjaftë e vështirësuar nga pandemia dhe lufta në Ukrainë.

Ai shton se është obligim institucional të mbështes qytetarin në këtë kohë krize.

Gërxhaliu: Është obligim institucional që ta luftojë dhe të gjejë mekanizma si të mbështes qytetarin

“Vet fakti që kemi këtë shtrenjtim të produkteve strategjike dhe atyre elementare, inflacioni prej 14.1% është shqetësim tjetër, vet fakti se Kosova jeton nga remitancat dhe eurozona është goditur nga inflacioni 8.4%, është shqetësimi i radhës. Në këtë drejtim hapi parë është që pandemia dhe kjo krizë ekonomike duhet të depolizohet, në rend të dytë, duhet të avancohet një dialog i mirëfilltë publiko-privat sepse vërtet nuk i bëhet nder zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe mbështetjes së sektorit privat në qoftë se gjithmonë bie vendime vetëm nga kabinetet qeveritare dhe jo në dialog të mirëfilltë me sektorin privat. Dhe inflacionin nuk e krijon Qeveria, inflacioni krijohet por është obligim institucional që ta luftojë dhe të gjejë mekanizma si të mbështesë qytetarin, zhvillimin, si të ketë një balanc, i cili do të gjeneroj efektet pozitive dhe jo vetëm një qasje selektive…1:56 Jemi duke u ballafaquar me çmime të larta të produkteve strategjike dhe atyre elementare por besoj që Qeveria duhet në këtë drejtim të ketë alternativa si t’i mbështes qytetarët dhe si t’i minimizoj efektet negative të krizës”, tha ai.

Eksperti i ekonomisë thotë se krahas masave të çmimeve tavan, ka edhe tkurrje të bizneseve dhe ulje të shitjeve.

Gerxhaliu: U stabilizua çmimi i derivateve por kemi një tkurrje të bizneseve

“Masat paraprake sa i përket ngrirjes apo tavanit të çmimit të naftës, kanë qenë një ndërhyrje e cila në rrugëtimin drejt familjes evropiane ndoshta është evidentuar si një minus, mirëpo anën tjetër po vërehet që është një stabilizim i çmimit të naftës. Por krahas kësaj e kemi një tkurrje të bizneseve, edhe shitjet kanë rënë 25 %, duhet të kuptohet që në pompat e benzinit kemi reduktim të stafit dhe e tëra kjo duhet të jetë analizë e cila duhet të bëhet nga ana institucionale. Është koha kur duhet të jemi me fleksibil, por ajo që është duke i munguar Kosovës më së shumti është mungesa e analizave të mirëfillta.. Na presin sfida të shumta dhe mekanizmi kyç është dialogu i mirëfilltë publiko-privat por edhe me qytetarët”, tha ai.

Më tej, Gërxhaliu kërkon nga Qeveria një deklarim të qartë në lidhje me krizën në vend.

Gërxhaliu: Fakti që nuk kemi deklarim të qartë, është shqetësim

“Vet fakti që deri më tani nuk e kemi një deklarim të qartë se vërtetë Kosova është në krizë, është shqetësimi më i madh. Kosova ka hyrë në krizë dhe kjo duhet të pranohet, në qoftë se do të neglizhohet prania e krizës në Kosovë do të dëmtohet Kosova dhe ekonomia. Është koha kur duhet të depolitizohet, kur duhet të ketë një diskurs apo një qasje më pro-aktive në mes pozitës dhe opozitës, sepse në fund Kosova dhe qytetarët e Kosovës duhet të jenë mbi interesat e partive politike dhe votave. Prandaj nuk duhet çdo veprim të jetë i kalkuluar vetëm me vota por me mirëqenie sociale. Është koha kur qytetari i Kosovës duhet ta shijojë dorën dhe ndihmën e shtetit”, tha ai./TV Malisheva

Share.