Në këtë periudhë kur Kosova është prekur nga COVID-19, Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e virusit korona mori vendim për mbylljen e një numri të madh biznesesh, duke u shkaktuar kështu humbje të mëdha në veprimtarinë e tyre. E për këtë bizneset po kërkojnë që të shpalljet gjendja e jashtëzakonshme ekonomike, si dhe të ofrohet më shumë ndihmë që këto biznese mos të falimentojnë.

Kështu u bë e ditur gjatë takimit që Oda e Afarizmit e Kosovës ka zhvilluar me biznese të shumta, me qëllim për të parë se me çfarë sfida po ballafaqohen pas mbylljes së tyre , si po i shohin vendimet e qeverisë së Kosovës karshi bizneseve në këtë kohë pandemie.

Anëtari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Hamdi Palushaj tha se shteti nuk po e ka të qartë rolin e tij dhe po bëhen pabarazi derisa punëtorët e sektorit publik po marrin pagat e plota edhe pse nuk kanë pu nuar, kurse ata të privatit jo.

Palushaj: Punëtorët e institucioneve shtetërore duhet të barazohen me ata të privatit

“Një i punësuar në institucionet e shtetit i cili rri në shtëpi dhe nuk punon asgjë është dashur të trajtohet barabartë me qytetarët e tjerë që janë në biznese private sepse asnjë dallim nuk ekziston në kohë pandemie duhet të barazohen me 170 euro që e kanë paraparë për ata që rrinë në shtëpi, qoftë privat, qoftë në institucionet e shtetit, qoftë deputetit të parlamentit, çfarëdo detyre i cili nuk ka punuar duhet të jetë i barabartë në ditët e sotme”, tha ai.

Madje Palushaj tha se kërkesat e tyre si OAK nuk janë marrë parasysh nga Qeveria e Kosovës, prandaj kërkon që të dihet se si do të rimëkëmbet ekonomia pas tejkalimit të pandemisë COVID19.

Palushaj: Qeveria duhet t’i marrë seriozisht hallet e bizneseve

“Edhe Qeveria ka një kaotizëm ku nuk ka kujt t’i përgjigjet më para, por duhet t’i marrë më seriozisht hallet tona sepse janë burimore janë të vërteta dhe duhet të jetë shumë më e koncentruar se çka pas koronës, çka gjatë koronës, a do të shpëtojë ky vend nga virusi dhe si do të rimëkëmbet ekonomia. Kërkesat tona nuk i kemi parë nëpër vendimet e qeverisë “, u shpreh Palushaj.

Anëtarët e OAK-ut takuan edhe pronarin e dy kompanie “JYSK” dhe KFC”, Fatmir Zymberi i cili tregoi për sfidat me të cilat po ballafaqohen si biznes i cili tashmë nuk është duke funksionuar pas vendimit të qeverisë.

Me qëllim që të mos falimentojnë shumë biznese në vend të cilat e mbushin kuletën e shtetit, ky biznesmen kërkoi që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme ekonomike dhe të ndërmerren hapat e duhur për t’u ndihmuar aty.

Zymberi thotë se shteti duh et t’i dal në ndihmë bizneseve duke ndalur të gjitha investimet kapitale dhe ato para të orientohen për të ndihmuar bizneset.

Zymberi: Duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme ekonomike

“Pandemia e koronavirusit do të largohet dhe do e kemi një pandemi ekonomike që do të jetë shumë e rrezikshme me këto vendimet e qeverisë për t’i subvencionuar punëtorët 170 euro ose forma të ndryshme, mendojmë se nuk mjaftojnë… Duhet me u shpall gjendje e jashtëzakonshme ekonomike. Çka do thotë kjo se qeveria e Kosovës duhet t’i ndërpre të gjitha investimet kapitale, të merret thjesht me ruajtjen e bizneseve të qëndrojnë në këmbë. Por nëse falimentojmë nuk e di qeveria e Kosovës kah do e merr, kah do të furnizohet buxhetin e Kosovës, kur ne bizneset e Kosovës jemi ata që e furnizojmë. Nëse ne falimentojmë do kemi të gjithë problem edhe ne si biznese por edhe qeveria. [.. .] 03/38 Asnjë biznes nuk është më pak ose më shumë i rënduar në këtë situatë dhe do një trajtim jashtëzakonisht të veçantë”, tha ai.

Përmes pakos emergjente, qeveria ka vendosur që të asistojë bizneset me tri ndërhyrje, ku e para është: a. mbulimin e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e ardhshëm deri në maksimumin e 41 milionë eurove; b. Subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove; c. Për punëtorët e ndikuar dhe që përfitojnë nga pika “a”, qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm, në masën e 8 milionë eurove.

Po ashtu, në këtë pako thuhet se kompanitë që kanë shënuar rënie të përkohshme të të hyrave të rregullta si rezultat i kufizimeve në lirinë e lëvizjes, pezullimit të ofrimit të disa shërbimeve nga sektori publik apo deklarimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve qeveritarë mund të kërkojnë likuiditet të përkohshëm nga qeveria në masën e nevojshme për të mbajtur operimin e rregullt të veprimtarisë, shumë këtë të cilën janë të detyruar t’ia kthejnë shtetit pas stabilizimit të operimit, por jo më larg se deri në fund të dhjetorit të vitit 2020. Në këtë masë, qeveria alokon 20 milionë euro, dhe mjetet e alokuara bartin zero interes vjetor./ Tv Malisheva

Share.