Njëri nga basketbollistët më të mirë të Kosovës, Dardan Berisha, sot ka konfirmuar se nuk do të jetë më pjesë e klubit të basketbollit “Peja”.
Ai këtë njoftim e ka dhënë përmes një statusi të lëshuar në profilin e tij në “Facebook” ku ka falenderuar tifozët dhe stafin e klubit për të gjithë mbështetjen e dhënë gjatë kësaj periudhe.
Në lidhje me largimin e Berishës, drejtori sportiv i KB Pejës, Arbër Elshani, ka thënë se klubi ka provuar që të zhvilloje bisedime me Berishën për të ardhmen, por që ai nuk është përgjigjur dhe se kjo ka lënë që të kuptohet se ai nuk dëshiron të vazhdojë.
“Ne kemi provuar disa herë që të flasim me Dardanin për të ardhmen por ai nuk është përgjigjur dhe ne nga kjo kemi kuptuar se ai nuk ka interesim për të vazhduar karrierën në klubin tonë dhe është larguar. Ne i urojmë sukses ku do që të shkojë por e di që në asnjë klub të Superligës së Kosovës nuk do ta ketë më mirë se te ne”, ka thënë Elshani.
Tutje, drejtori i Pejës ka zbuluar se përveç amerikanit Isiah Umipig i cili u zyrtarizua sot si lojtari më i ri i Pejës, së shpejti do të arrijnë edhe katër përforcime të tjera shumë cilësore.
/TV Malisheva