Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia nuk ka nevojë për bazat ushtarake të askujt, dukej mjaft e përmbajtur dhe u perceptua si synimi i tij që nga njëra anë të mos e shtyjë çështjen e bazës ushtarake ruse, dhe nga ana tjetër, që të mos acarojë marrëdhëniet me Moskën, vlerëson e përditshmja e Moskës Kommersant.
Gazeta shton se Vuçiq në këtë mënyrë ka sqaruar një pyetje që shqetësoi shumicën në Serbi dhe jashtë saj – nëse Rusia do të ndërtojë bazën e saj ushtarake në territorin e Serbisë. Ekzistenca e planeve të tilla në Serbi është diskutuar pas deklaratës së ambasadorit rus në Beograd, Alexandar Botsan-Kharchenko, të cilën ai e bëri në fillim të javës së kaluar, kujton gazeta.
Deklarata e ambasadorit bëri shumë bujë në Serbi. Shumë media dhe ekspertë serbë menjëherë e fajësuan Rusinë për “minimin e qëllimshëm të interesave të Serbisë duke përhapur informacione për bazën ushtarake ruse në një kohë kur ajo është nën vëzhgim të madh të Perëndimit në lidhje me formimin e qeverisë së re dhe vendimin për t’u bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, shton gazeta.
Burimet e Kommersant-it në Beograd, të cilët, janë të njohur me qëndrimin e autoriteteve serbe, deklaratat e kujdesshme të presidentit i shpjegojnë me bashkëpunimin ushtarak të intensifikuar së fundmi ndërmjet Serbisë dhe SHBA, kryesisht në bazën ushtarake Jug afër Bujanocit në jug Serbisë.
Është interesante se deklarata e ambasadorit rus, e cila bëri kaq shumë zhurmë në Serbi, pasoi vetëm një javë pas deklaratës së presidentit të Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, për politikën e Beogradit zyrtar, shkruan gazeta dhe citon deklaratën e Lukashenkos se Serbia do të donte të ulet në tre karrige – BE, SHBA, Rusi, por se kjo nuk do të jetë më e mundur.
“Në Serbi, këto fjalë u vlerësuan pothuajse unanimisht si një ftesë për Beogradin që të deklarohet në anën e Moskës në konfrontimin aktual gjeopolitik, të cilin ajo e dërgoi përmes aleatit të saj bjellorus”, pretendohet në shkrimin e Kommersant-i
Gazeta citon fjalët e ekspertit të politikës së jashtme, ish-ambasadorit në Bjellorusi, Sreqko Gjukiq, se autoritetet serbe duhet ta kishin kuptuar shumë kohë më parë se nuk mund të ulen në tre karrige për një kohë të gjatë dhe të udhëheqin politikën e strucit për të futur kokën në rërë, sepse kjo nuk do të funksionojë në asnjërën anë.
“Megjithatë, Gjukiq beson se në muajt e ardhshëm nuk ka gjasa që ndryshimet radikale në një politikë të tillë të Beogradit të jenë reale, gjithnjë derisa karriget të fillojnë të lëkunden”, shton Komersant.