Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, ka deklaruar për televizionin pro-qeveritar serb “TV Pink” se presidenti serb Aleksandar Vuçiq “po përpiqet të ruajë paqen dhe se kemi ardhur në këtë pikë për shkak të veprimeve të njëanshme të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe papërgjegjshmërisë së madhe të BE-së”.
Ajo ka thënë se në prill të vitit të ardhshëm do të bëhen 10 vjet që kur “shtylla kurrizore e Marrëveshjes së Brukselit”, gjegjësisht marrëveshja për Asociacionin nuk është zbatuar.
“BE-ja nuk mund t’i detyrojë njerëzit ta zbatojnë atë, prandaj ata e vendosin topin në fushën tonë. Këtë vit, Kurti ia mohoi serbëve të drejtën themelore njerëzore – të votojnë dy herë – për referendumin dhe në zgjedhje”, ka thënë Brnabiq.
Sipas propagandës së saj për konsum të brendshëm, “incidentet ndaj serbëve po shtohen nga viti në vit, ndërsa këtë vit ka pasur edhe 50 për qind më shumë në krahasim me vitin paraprak”, shtoi ajo.
“Dhe pasi ia mohoi të drejtën e votës, BE-ja, KUINT-i dhe SHBA reaguan aq seriozisht, saqë e përsëriti edhe më 3 prill. Dhe ju e lejoni këtë, po i them BE-së dhe KUINT-it, po lejoni poshtërime të tilla, që disa Kurti dhe zyrtarë në Prishtinë të mohojnë një të drejtë elementare të njeriut. Ata qe 10 vjet nuk e kanë themeluar Asociacionin, po lejoni ta shkelin marrëveshjen duke “pushtuar veriun” me armë të gjatë nën pretekstin e luftimit te korrupsionit, dhe pastaj guxoni te thoni se dikush ne Beograd është fajtor”, ka pretenduar Brnabiq.
Ajo nuk harron detyrën e saj t’i përsërisë fjalët e shefit të saj se, “Serbia është për paqe dhe stabilitet, nuk u përgjigjet provokimeve dhe po përpiqet t’i mbajë serbët në Kosovë të sigurt dhe të fortë ekonomikisht”.
“Dhe pastaj dikush nga BE-ja kthehet dhe thotë ju e keni fajin. Vuçiq e tha fjalinë kyçe, e kjo është nëse Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, cili është kompromisi, çfarë kemi negociuar dhe pse në Bruksel. Kjo është çështja që duhet të përsëritet vazhdimisht. Dhe nëse ai është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, atëherë çdo gjë tjetër duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, sipas së cilës Kosova është Krahinë Autonome. A do të nisemi nga këto premisa. Atëherë ju merrni atë marrëveshje dhe e hidhni dhe tregoni se sa vlen nënshkrimi i BE-së”, ka thënë ajo.