Shkupi dhe Ballkani dhuruan një ndeshje shumë të bukur në duelin e parë të raundit “play-off” të Conference League. Edhe pse kampionët e Maqedonisë krijuan më shumë dhe kishin iniciativë, në fund fituan 1-2 kampionët e Kosovës.
Dueli mes dy skuadrave shqiptare u zhvillua në një atmosferë fantastike të krijuar nga “Shvercerat” dhe “Xhebrailat”. Vendasit kaluan në avantazh falë rrjetës së nigerianit Adetunji, por djemtë e Ilir Dajës përmbysën rezultatin me golat e Albion Rrahmanit dhe Meriton Korenicës (eurogol).
Albion Rrahmani është vetëm 21 vjeç dhe po shijon një moment të mrekullueshëm. Goli ndaj Shkupit ishte i shtati për të në Conference League, duke qenë golashënuesi më i mirë deri tani në këtë kompeticion.
“Çelësi i suksesit është përkrahja e familjes dhe e trajnerit, që më ka dhënë mundësinë të tregoj aftësitë e mia në këto ndeshje. Unë jam vetëm 21 vjeç dhe është një ndjenjë e veçantë ajo që po përjetoj duke shënuar kaq gola në Conference League”.
Goli? Është një skemë që ne e provojmë shpesh, pasi Thaçi ai i ka shumë të mira krosimet nga ajo zonë e fushës. E prita një krosim, që për fat të mirë erdhi dhe e dërgova në rrjetë”, foli Rrahmani për SuperSport pas suksesit në Shkup.
Kualifikimi në grupet e Conference League është më afër se kurrë, me Ballkanin që do kthehej në skuadrën e parë dardane që ia del të realizojë një kryevepër të tillë.
Rrahmani u transferua verën e kaluar nga Malisheva te Ballkani. Në Suharekë fitoi titullin e parë kampion, Kosova e ka grumbulluar por nuk ka debutuar akoma, ndërkohë që tani po shkëlqen në Europë.
Qendërsulmuesi do tentojë të ndëshkojë përsëri Shkupin të enjten tjetër për të përmirësuar statistikat e tij dhe për të rritur vlerën e kartonit në merkato, ndërsa Ballkani “fërkon duart” nga fakti që zotëron një talent dhe goleador si Rrahmani. /TV Malisheva