Qeveria e Kosovës nga 1 shtatori duhet të nis të zbatojë masën e reciprocitetit për targat dhe dokumentet serbe, si dhe nuk duhet të bëjë asnjë kompromis tjetër në këtë drejtim, thotë eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi. Sipas tij, deklarimet e djeshme të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se po synohet dëbimi i popullatës serbe nga Kosova janë ekzagjerime dhe tentime për ta tensionuar situatën.

Ibishi thekson se pala e Kosovës nuk duhet të pranojë assesi që të kthehen targat KS, pasi ato paraqesin një dualizëm me ato që janë aktualisht RKS.

“Edhe në këtë rast ai (Vuçiq) po mundohet që ta ekzagjerojë, ta bëjë situatën të tensionuar deri në atë nivel që kinse do të rrezikohet qenia serbe në Kosovë, çka fare nuk është e vërtetë, flitet për një reciprocitet marrëveshjeje që është e nënshkruar mes dy palëve qysh në vitin 2011 dhe ka të bëjë me zbatimin e tyre. Ajo u shty për një kohë deri në arritjen e një marrëveshjeje, pra që të mos ketë tensione por ai po vazhdon… 02’15Arriti kinse që ta përfitojë palën serbe që ishin aty prezent në krye me ekstremistin, Radojçiqin dhe t’iu thotë se duhet të bëhet një kompromis. Kompromisin sipas tyre e ofroi edhe ai që është shefi i (të ashtuquajturës) zyrës për Kosovë, Petkoviq i cili tha që të arrihet një alternativë në targa ajo KS të kthehet çka është një rrezikshmëri edhe më e madhe sepse po krijohet një dualizëm mes RKS dhe KS-së, ajo që dikur ka qenë dhe para 2 viteve është zhbërë. Krejt kjo tregon lojën e mirëfilltë serbe që çdo herë ta mbajnë në tension dhe që të mos vije tek zgjidhja”, thotë Ibishi.

Eksperti i sigurisë thotë se zbatimi i masës së reciprocitet me shtetin serb nuk duhet të shtyhet më.

“Sido që të jetë unë mendoj se pala kosovare duhet të jetë konsistente, është shtyrë për kaq kohë sa të arrihet një marrëveshje dhe kjo duhet të zbatohet më 1 shtator… Unë mendoj që nuk ka më shtytje tjetër, nuk ka alternativa kompromisi me ‘KS’, por ajo çfarë është shpalosur aty dhe jo të futen në pako edhe çështje të tjera sikur edhe Asociacioni i Komunave që zakonisht BE-ja po e ofron, oferta kinse miradije apo në një formë oferte palës serbe”, tha Ibishi.

Në fjalimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit pas takimit me serbët e Kosovës i cili ishte paralajmëruar qysh pas dështimit të negociatave në Bruksel ishte i pranishëm edhe i kërkuari nga autoritetet e Kosovës, Milan Radojiçiq.

Lidhur me prezencën e tij në këtë takim, Ibishi thotë se prezenca e tij në këto takime tregon tendencën për të nxitur tensionim të situatës.

“Fatkeqësia është se nga faktori ndërkombëtar, sidomos nga BE-ja nuk po deklarohen në rastet e tilla. ShBA-të dhe disa partnerë tanë strategjikë po janë më proaktivë në këtë dhe normal ai personi në kërkim edhe qëndron pra në një mundësi në zgjedhje të një problemi që realisht është një marrëveshje e kryer. Pra, sjellja e ekstremëve vetëm nxitë tensionim të situatës, sido që të jetë unë mbes në kërkesën e ambasadorit amerikan gjegjësisht në kërkesën e ShBA-së, është bërë kjo shtyrje e kohës, ajo duhet të zbatohet pa marrë parasysh se a do të ketë tensione apo jo. Janë edhe forcat policore të Kosovës edhe EULEX por edhe forcat e NATO-s, janë në vendin e duhur kanë shtimin edhe të performancës, por njëkohësisht edhe të mbulimit të territorit në atë pjesë. Gjithçka është në rregull, mendoj se edhe opinioni dhe komuniteti serb jashtë kësaj pjese ekstreme, ata kanë shprehur gatishmërinë që t’i pranojnë këto masa”, u shpreh ai.

Meqenëse ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje mes palës së Kosovësdhe asaj serbe sa i takon masës së reciprocitetit, Ibishi i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos bëjë më kompromise.

“Do të ketë tentim për konfrontime, do të zgjasë ajo një kohë nëse do të ketë, mendoj se nuk do të ketë, do të arrihet një marrëveshje edhe kjo do të kryhet. Unë mendoj se pala kosovare duhet të jetë e kujdesshme që të mos ketë kompromise më, kompromiset janë të dhimbshme për Kosovën se bën precedent”, thekson ai.

Sa i takon vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin në Rusi, njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi tha se këto takime po zhvillohen për të marrë udhëzime për veprimet në Ballkan.

“Ministri serb i Ministrisë së Brendshme, Vulin apo ideologu për çështjen serbe që e quan vetveten, që e kamuflon me pretendimet e ndryshme, tendenca e tij është që çdo herë të jetë si transmetues i politikës ruse në Ballkan dhe tash domosdoshmërisht duhet të komunikojë me palën ruse dhe të merr udhëzime se çka duhet të veprojë në të ardhmen pra prej tij gjithçka është e pritur”, u shpreh eksperti i sigurisë.

Më 18 gusht në Bruksel është zhvilluar raundi i ri i dialogut Kosovë – Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq u takuan më 18 gusht në Buksel, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Ky takim u zhvillua pasi serbët ngritën barrikada më 31 korrik për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe. E këto barrikada u larguan pasditen e 1 gushtit pasi Qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e masës së reciprocitetit për targa dhe dokumente deri më 1 shtator.

Ndërsa presidenti serb të dielën mbajti konferencën me serbë të Kosovës, të cilën e kishte paralajmëruar sa ishte në Bruksel. Ai aty tha se “Kosova synon të dëbojë serbët nga vendi“./TV Malisheva

Share.