Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në orët e para të së premtes se shpreson në një zgjidhje kompromisi me Kosovën, për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe.

Ai i ka bërë këto deklarata pas diskutimeve që ka pasur me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Ne do të vazhdojmë bisedimet dhe besoj se në ditët në vijim do të mund të arrijmë një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë të vogël, pasi është e qartë se një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare sa u përket targave dhe disa çështjeve më të mëdha”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram.

Në takim kanë qenë edhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Beograd, Christopher Hill dhe Emanuele Giaufret. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por takimi nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.

Takimet e tyre janë mbajtur pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës më 31 korrik, meqë serbët lokalë kanë vënë barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.

Si pasojë e tensioneve, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator. Lajçak dhe Escobar kanë vizituar këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të shmangies së tensioneve mes dy vendeve.

Vuçiq ka thënë mes tjerash se asgjë nuk është e sigurt, dhe se nevojiten shumë garanci.

“Por në ditët në vijim, ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të siguruar dhe ruajtur paqen për popullin tonë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë të ardhmen për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, ka thënë ai.

Lajçak ka thënë më 26 gusht se “pas një rundi të dytë të diskutimeve në orët e vona të natës, shpresoj se jemi në rrugën e duhur”.

“Vlerësoj përpjekjet e sinqerta të presidentit Vuçiq për të mbështetur një zgjidhje evropiane. Bisedimet tona do të vazhdojnë”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter. Në një postim tjetër të 25 gushtit, ai ka thënë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet për liri të lëvizjes të vitit 2011.

Në Kosovë, Escobar dhe Lajçak kanë takuar liderë institucionalë dhe të partive opozitare. Ata janë takuar edhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Mitrovicën e Veriut.

Kryeministri Kurti ka përsëritur më 24 gusht se do t’i përmbahet vendimit për targa dhe dokumente serbe. Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në Prishtinë, Kurti është i vendosur që zbatimi i vendimit të mos shtyhet.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë më 17 gusht se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Stoltenberg ka thënë se situata në terren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”.

/TV Malisheva

Share.