Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk është pritur mirë nga qytetarët gjatë një paraqitje që kishte në Oseçinë të Serbisë.
Derisa Vuçiq po mbante fjalim, nga pjesëmarrësit u dëgjuan brohoritje ku ai quhej “tradhtar” dhe akuzohej se “ka dorëzuar Kosovën”, transmeton TV Malisheva.
Përgjigja e Vuçiqit ishte se ai po lufton për Kosovën, për dallim prej të tjerëve që siç tha ai “e kanë dorëzuar Kosovën”.
Ai vazhdoi duke folur për takimet që kishte pasur në ditën e fundit me emisarët Gabriel Esobar dhe Miroslav Lajçak.
Vuçiq vazhdon të insistojë se Serbia është pala konstruktive në dialog e cila thotë ai po sillet në përputhje me interesat e shtetit.
“Ne kërkojmë që serbët të lëvizin me dokumentet tona, ne nuk kërkojmë asgjë për ne, por për ata. Dhe e gjithë kjo është në përputhje me marrëveshjet e arritura. Ata thonë se mund lëvizni me targa BG, por, nuk mundeni me traga KM”, tha Vuçiq.
Por, Vuçiqi thotë se kjo është vetëm një pjesë e problemit dhe se është vetëm çështje kohe para se siç tha ai ” të futemi në një krizë edhe më të madhe”.
“Mund ta imagjinoni në dy muajt e ardhshëm se çfarë tensionesh do të ketë. Të paktën ta pranonin çështjen e dokumenteve, që njerëzit tanë të hyjnë e dalin me dokumentet tona”, u shpreh Vuçiq.